Please enter at least 3 characters.

Katër persona dërgohen në QKUK nga të shtënat në Podujevë, Syla: Gjendja e tyre e rëndë por stabile

Katër persona janë pranuar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi janë plagosur nga arma e zjarrit sot në Podujevë.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla ka bërë të ditur se të plagosurit kanë marrë plagë të rënda nga arma e zjarrit, ndërsa ekipet mjekësore janë duke kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

"Janë pranuar 4 persona në Qendrën Emergjente, me plagë skllopetare të rënda. Janë duke u kry egzaminimet e nevojshme. Gjendja e tyre është stabile për momentin. Disa prej i kanë përfunduar ekzaminimet e nevojshme. Njëri prej tyre është dërguar në sallën operative ku po punojnë ekipet kujdestare të njësisë së neurokirurgjisë, kurse tre të tjerët janë duke ekzaminuar dhe trajtuar në qendrën emergjente. Plagët janë me armë zjarri, gjendja e tyre është e rëndë por stabile. Për të katërtit mosha e tyre është mesatare", tha Syla.

Ndërkohë, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, ka deklaruar për Telegrafin se sipas të dhënave fillestare nuk raportohet për viktima.

"Sipas të dhënave fillestare, deri më tani nuk ka ndonjë person të vrarë. Ka vetëm të plagosur dhe ata janë duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor", tha Shala.

Organet e rendit dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Telegrafi/