Please enter at least 3 characters.

Kanceri i mushkërive: Shenjat, shkaqet, rreziqet e fshehura, diagnostikimi dhe trajtimi modern

Ass. Dr. Blerim Gjocaj, Onkolog mjekësor - kimioterapeut

Si zhvillohet kanceri i mushkërive, pse zbulohet vonë dhe cilat trajtime moderne ofrojnë shpresë reale për mbijetesë më të gjatë

Ass. Dr. Blerim Gjocaj
Onkolog mjekësor - kimioterapeut
Tel. 044621415

Kanceri i mushkërive është një nga tumoret më të shpeshtë dhe më agresivë në mjekësinë bashkëkohore. Ai zhvillohet kur qelizat në mushkëri fillojnë të rriten në mënyrë të pakontrolluar, duke formuar masa tumorale që dëmtojnë indin dhe mund të përhapen në organe të tjera jetike. Për shumë vite, kjo sëmundje mbeti ndër më të vështirat për t’u trajtuar, kryesisht sepse diagnostikohet vonë dhe sepse ecën me ritme të shpejta. Por në dekadën e fundit, me zhvillimin e imunoterapisë dhe terapive të synuara molekulare, trajtimi ka bërë përparime të mëdha dhe për një pjesë të pacientëve kanceri i mushkërive mund të shndërrohet në një sëmundje të menaxhueshme.

Shenjat e para dhe pse kanceri i mushkërive shpesh vonon të zbulohet

Një nga arsyet pse kanceri i mushkërive është kaq i rrezikshëm është fakti se në fazat e hershme është zakonisht asimptomatik. Shumë pacientë jetojnë për vite pa ndier asgjë të veçantë, sepse tumori mund të rritet në një zonë të mushkërisë që nuk shkakton dhimbje apo shqetësime. Kjo heshtje klinike është arsyeja kryesore pse shumica e rasteve zbulohen rastësisht, gjatë kontrolleve rutinë, ose, fatkeqësisht, në faza të avancuara.

Kur shfaqen simptomat, ato shpesh tregojnë se tumori ka arritur madhësi të konsiderueshme ose ka prekur struktura të rëndësishme brenda toraksit. Shenjat më tipike përfshijnë një kollë të re që nuk ka qenë më parë, ose një ndryshim të dukshëm në kollën e zakonshme të duhanpirësit. Gjaku në pështymë, vështirësia në frymëmarrje, dhimbja në gjoks, ngushtimi i rrugëve të frymëmarrjes me zhurmë, si dhe pneumonitë e përsëritura në të njëjtën zonë të mushkërisë, janë shenja që duhet të vlerësohen menjëherë nga mjeku. Në raste të caktuara, tumori mund të shtypë venën kava superiore, duke shkaktuar ënjtje të fytyrës, qafës dhe venave të kraharorit, një urgjencë që kërkon trajtim të menjëhershëm.

Përveç simptomave lokale, kanceri i mushkërive shpesh jep edhe shenja të përhapjes në organe të largëta. Dhimbja e kockave, sidomos në shpinë dhe ijë, është tregues i metastazave kockore. Dhimbja e shpatullave, që përhapet drejt krahut ose qafës, mund të jetë shenjë e tumorit Pancoast, një formë e veçantë e kancerit që rritet në majën e mushkërisë dhe prek strukturat nervore dhe kockore përreth. Nëse metastazat shfaqen në tru, ato mund të japin dhimbje koke të vazhdueshme, marramendje, konfuzion, madje edhe kriza epileptike. Përfshirja e mëlçisë mund të çojë në zmadhim të saj, ndërsa metastazat në gjëndrat mbiveshkore mund të krijojnë shenja të insuficiencës suprarenale, si lodhje ekstreme, presion të ulët të gjakut dhe çrregullime elektrolitike.

Krahas këtyre shenjave të drejtpërdrejta, ekzistojnë edhe simptoma sistemike - ato që tregojnë se trupi po përballet me një proces të rëndë. Humbja e pashpjegueshme e peshës, humbja e oreksit, lodhja kronike që nuk lidhet me aktivitetet e përditshme, djersitjet e natës, temperaturat e ulëta por të vazhdueshme pa infeksion dhe ndryshimet e humorit, përfshirë depresion e ankth, janë të zakonshme në shumë lloje të kancerit, përfshirë atë të mushkërive. Këto shenja shpesh nënvlerësohen, por kanë vlerë të madhe diagnostike.

Shkaqet kryesore dhe faktorët e rrezikut

Shkaku më i fortë i kancerit të mushkërive mbetet pirja e duhanit. Substancat kimike në tym dëmtojnë drejtpërdrejt ADN-në e qelizave të mushkërive, duke shkaktuar mutacione që me kalimin e viteve çojnë në formimin e tumorit. Pavarësisht kësaj, kanceri i mushkërive nuk është një sëmundje e duhanpirësve, një pjesë gjithnjë në rritje e pacientëve nuk kanë pirë kurrë duhan. Tek këta persona, rolin kryesor e luajnë ndotja e ajrit, ekspozimi i gjatë ndaj radonit dhe azbestit, kimikatet e vendit të punës, si dhe faktorët gjenetikë. Mutacionet si EGFR, ALK, ROS1, MET apo KRAS janë më të zakonshme pikërisht te pacientët që nuk kanë konsumuar duhan dhe sot janë thelbësore për zgjedhjen e terapisë.

Si vendoset diagnoza: nga imazheria te analiza molekulare

Diagnostikimi i saktë është themeli i trajtimit modern. CT-ja e gjoksit është metoda më e rëndësishme në zbulimin e masave tumorale, ndërsa PET-CT mundëson vlerësimin e përhapjes së sëmundjes në të gjithë trupin. Radiografia e mushkërive është shpesh e pamjaftueshme, sepse shumë tumore “fshihen” pas strukturave të zemrës ose brinjëve.

Bronkoskopija mbetet mënyra më e drejtpërdrejtë për të konfirmuar diagnozën. Ajo lejon marrjen e mostrave të indeve për biopsi, të cilat më pas analizohen nga patologët. Por hapi i vërtetë që ka revolucionarizuar trajtimin është profili molekular, një analizë që identifikon mutacionet gjenetike brenda tumorit. Ky informacion udhëheq zgjedhjen e terapisë së synuar, e cila është shpesh shumë më efektive se kimioterapia tradicionale.

Trajtimi modern: kombinimi i kirurgjisë, kimioterapisë, radioterapisë dhe terapive të reja

Trajtimi varet nga tipi i tumorit dhe stadiumi në të cilin zbulohet. Në fazat e hershme, kirurgjia mbetet alternativa më efektive. Kur operacioni nuk është i mundur, përdoren radioterapia, kimioterapia ose kombinime të tyre.

Në fazat e avancuara, imunoterapia ka sjellë një transformim të jashtëzakonshëm. Barnat që “zgjojnë” sistemin imunitar për t’u përballur me tumoret kanë treguar se zgjasin ndjeshëm jetën dhe përmirësojnë cilësinë e saj, sidomos në ato tumore që shprehin PD-L1. Terapia e synuar, nga ana tjetër, ka precizion të jashtëzakonshëm: ajo funksionon vetëm në pacientët që mbartin mutacione të caktuara. Osimertinibi për mutacionet EGFR, alectinibi për ALK, crizotinibi për ROS1 dhe barna të tjera të ngjashme po ndryshojnë rrjedhën e sëmundjes.

Për tumoret mikrocelular, kimioterapia mbetet baza e trajtimit, ndërsa radioterapia e trurit përdoret për të parandaluar metastazat cerebrale, të cilat janë shumë të shpeshta.

Çfarë mund të bëjë secili prej nesh?

Ndërprerja e duhanpirjes është masa më e fuqishme parandaluese. Edhe pas dekadash pirje, ndalimi ul dukshëm rrezikun e progresionit ose shfaqjes së kancerit. Njohja e shenjave, vlerësimi i hershëm mjekësor, skriningu me CT të dozës së ulët dhe zgjedhja e një stili të shëndetshëm jetese janë hapat më të rëndësishëm që mund t’i ndërmarrë secili prej nesh. /Telegrafi/