Kanada me ligj ndalon rrjetet sociale për personat nën moshën 16-vjeçare
Qeveria e Kanadasë ka prezantuar një projektligj të ri për sigurinë digjitale, i cili do t’u ndalonte personave më të rinj se 16 vjeç përdorimin e rrjeteve sociale, përveç rasteve kur platformat arrijnë të dëshmojnë se ofrojnë standarde të larta sigurie për të miturit.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e një organi të ri rregullator, të quajtur Komisioni Kanadez për Sigurinë Digjitale, i cili do të mbikëqyrë zbatimin e rregullave dhe do të vendosë standarde të reja për platformat online dhe chatbotët e inteligjencës artificiale.
Ministri kanadez i Identitetit dhe Kulturës, Marc Miller, deklaroi se rrjetet sociale dhe chatbotët me inteligjencë artificiale janë krijuar për të tërhequr vëmendjen e përdoruesve dhe se ato po kontribuojnë në rritjen e ankthit, izolimit dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor tek të rinjtë.
Sipas projektligjit, kompanitë që nuk respektojnë rregullat mund të përballen me gjoba deri në 3 për qind të të ardhurave globale ose 10 milionë dollarë kanadezë, varësisht se cila shumë është më e lartë.
Kanadaja po i bashkohet një numri në rritje vendesh që po kufizojnë qasjen e të miturve në rrjetet sociale. Më herët, Australia u bë vendi i parë në botë që vendosi një ndalim të tillë për personat nën 16 vjeç, ndërsa vende të tjera si Franca, Danimarka, Polonia dhe Greqia po shqyrtojnë masa të ngjashme.
Megjithatë, projektligji kanadez duhet të kalojë procedurat parlamentare dhe mund të duhen deri në 30 muaj përpara se sistemi i ri rregullator të bëhet plotësisht funksional. /Telegrafi/


