Kampioni fillon keq
Ishte ky një start i ëndrrave për kampionatin italian, pasi loja nga fillimi ishte tejet e nxehtë. Aquilani nga njëra anë debutoi për Milanin, e nga ana tjetër me gola debutuan dy sulmuesit e rinj të Lazios, emrat e të cilëve do t’i mësoni në vazhdim. Lorik Cana nuk debutoi për Lazion, për shkak të lëndimit.
Lazio e filloi më mirë këtë takim, duke e dominuar lojën. Pas disa pasimeve të bukura, erdhi dhe goli i parë. Stefano Mauri gjeti në mënyrë të mrekullueshme sulmuesin gjerman Miroslav Klose, i cili si një mjeshtër i vërtetë tejkaloi Alessandro Nestën për të shënuar për 1-0 dhe befasinë në San Siro (12’).
Edhe më tej vazhdoi dominimi i Lazios dhe frytet fillojnë të shfaqen në minutën e 21-të, kur pas një harkimi fantastik përsëri nga Stefano Mauri, më së miri para portës u gjend Djibril Cisse i cili me kokë dyfishoi epërsinë e Lazios dhe qetësoi 50 mijë Rossonerë në impiant.
Dhe që nga ky moment fillon të ndryshojnë gjërat për Milanin, i cili fillon të dominojë. Një top të jashtëzakonshëm nga Alberto Aquilani, e shfrytëzon Antonio Cassano i cili asistoi për Zlatan Ibrahimovic, i cili nuk e pati të vështirë të shënojë për 2-1 (29’).
Pak minuta pas këtij goli, përsëri lajmërohen Rossonerët. San Siro shpërthen në eufori kur Antonio Cassano me kokë (33’) barazoi rezultatin për 2-2.
Përsëri është Milani që dominon, por Lazio u shfaq rrezikshëm me anë të kundërsulmeve. Pjesa e dytë ishte më e qetë. Milani ishte pranë golit, kur një pasim fenomenal të Ibrahimovic nuk e shndërroi në gol Cassano, i cili qëlloi shtyllën pingule.
Nga një rast tjetër Cisse për pak sa nuk shënoi për fitoren e Lazios, kur e tejkaloi edhe portierin Abbiati, por hero në momentin vendimtar ishte Alessandro Nesta. Nuk kishte ndryshime deri në fund të takimit dhe kështu takimi përfundoi me rezultat 2-2.
Me këtë gabim Milani u jep mundësinë rivalëve Interit dhe Juventusit që të krijojnë epërsi në tabelë që në javën e parë të kampionatit italian.


