Juventusi i bindur se do të arrijë marrëveshje me yllin e Man Cityt
Juventusi po shtyn fuqishëm për ta transferuar Bernardo Silvën në verë. Sipas raportimeve, klubi italian pritet të zhvillojë ditët në vijim bisedime të reja me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes.
Silva së fundmi ka konfirmuar se do të largohet nga Manchester City në fund të sezonit, duke mbyllur një periudhë nëntëvjeçare shumë të suksesshme me kampionët e Anglisë. E ardhmja e tij pritet të jetë një nga temat kryesore të afatit veror.
Sipas Tuttosport, CEO i Juventusit, Damien Comolli do të takohet së shpejti me Mendesin për të diskutuar mundësinë e një kalimi në Torino, ndërsa “Zonja e Vjetër” shpreson ta fitojë garën përpara Barcelonës dhe klubeve të tjera të interesuara.
Raportohet se Bernardo Silva synon të mbetet në nivelin më të lartë të futbollit evropian, pavarësisht ofertave të mëdha financiare që mund t’i vijnë nga MLS dhe Arabia Saudite.
Megjithatë, Juventusi fillimisht duhet ta sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, pasi transferimi do të ishte i kushtueshëm dhe Silva dëshiron të vazhdojë të luajë në garën më të madhe të klubeve në Evropë. /Telegrafi/


