Java ndërkombëtare e modës në Kosovë – ‘KIFW 2013’
Dizajnerë nga, Italia, Kroacia, Turqia, Maqedonia, Zvicra etj., si dhe butiqet me ekskluzivitetet më të famshme botërore që gjenden në Kosovë, do të jenë pjesë e pesë netëve të javës së modës.
Më shumë se 50 modele do të jenë pjesë e këtij evenimenti, ndërsa 20 prej tyre do të jenë modele të famshme botërore, të cilat vijnë nga vende të ndryshme të botës për ta bërë kështu javën e modës në Kosovë një javë mode ndërkombëtare, ku kryefjala e pesë netëve të këtij spektakli do të jetë moda e fundit e veshjeve që do të prezantohet nga 22 pjesëmarrës në këtë eveniment.
Fotograf zyrtar i Javës së modës në Kosove edhe këtë vit do të jetë Avni Selmani, gjithashtu janë përzgjedhur edhe 25 fotografë të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria që do të bëjnë fotografi gjatë pesë netëve.
Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit Java e modës mban vulën e agjencisë më të madhe të modës në Kosovë, ‘Gecjan Fashion Group’ dhe RTV 21.
“Kosova International Fashion Week 2013” do të mbahet me 20 dhe 21 mars në ‘Mentori center’ në Ferizaj, për të vazhduar me datë 22, 23 dhe 24 mars në Sheshin 21 në Prishtinë, ndërsa hyrja do të jetë vetëm me ftesa. Në natën e fundit të këtij eventi, me 24 mars, do të ketë edhe një lojë shpërblyese për të gjithë mysafirët që e kanë vizituar javën e modës, do të ndahen 20 fustane ekskluzive në vlerë deri në 8.000 euro dhe shumë shpërblime të tjera.
‘KIFW 2013’ për të pestin vit me radhë u jep mundësinë më të mirë të gjitha vajzave që duan të duken bukur dhe në koherencë me modën e fundit që të përzgjedhin veshjen e tyre të preferuar gjatë kohës së realizimit të javës së modës, si dhe gjatë kohës së transmetimit për pesë net me radhë në RTV 21.


