“Jam i shkatërruar”, Alexander-Arnold flet pas lëndimit të fundit
Ylli i Real Madridit, Trent Alexander-Arnold u është drejtuar tifozëve me një mesazh inkurajues në rrjetet sociale të premten, vetëm pak orë pasi u konfirmua se do të mungojë për një periudhë të gjatë për shkak të një lëndimi të ri.
Mbrojtësi anglez ishte titullar në ndeshjen e mesjavës ndaj Athletic Bilbaos në La Liga, ku shkëlqeu gjatë pjesës së parë dhe regjistroi edhe asistimin e tij të parë në futbollin spanjoll. Por sapo nisi pjesa e dytë, gjithçka mori kthesë negative.
Alexander-Arnold u ndal papritur duke ndier shqetësime fizike dhe Xabi Alonso e zëvendësoi menjëherë. Testet mjekësore të kryera të enjten konfirmuan një lëndim muskulor, që pritet ta mbajë larg fushave për një periudhë të zgjatur.
Megjithatë, pas një 48-orëshi të vështirë, anglezi ka vendosur t’i qetësojë tifozët e Real Madridit me një reagim të drejtpërdrejtë në Instagramin e tij.
"Jam i shkatërruar nga ky lëndim. Koha kur ndodhi më dhemb shumë, por do të punoj fort të kthehem më i fortë dhe më i mirë! Shihemi në vitin 2026, madridistë”, shkroi ai.
📲 Trent: “Absolutely gutted about this one. The timing of it hurts but I will work hard to come back stronger and better! See you in 2026 Madridistas 🤍” pic.twitter.com/WT7P7yAz96
— Madrid Xtra (@MadridXtra) December 5, 2025
Ndërkohë, ende nuk dihet saktësisht se kur do të rikthehet Alexander-Arnold si dhe ka synim të gjejë formën për të marrë ftesë për Kupën e Botës 2026./Telegrafi/


