Jahjaga takon delegacionin e Federatës së Hendbollit të Kosovës
Delegacioni i FHK-së e njoftoi Presidenten Jahjaga për aktivitetin e Federatës dhe Saraçini prezantoi të arriturat e deritashme duke theksuar se Federata e Hendbollit të Kosovës, është pranuar si anëtare e barabartë e Federatës Evropiane të Hendbollit dhe njëkohësisht edhe e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit, transmeton Telegrafi.
Saraçini tha se “hendbolli i Kosovës ka bërë një hap të madh në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e përkrahjes së institucioneve të vendit në këtë drejtim. Delegacioni e informoi Presidenten edhe për aktivitetet dhe angazhimet e FHK-së në të ardhmen”.
Presidentja Jahjaga duke e përgëzuar Federatën e Hendbollit të Kosovës për suksesin e arritur tha “se ndërkombëtarizimi i sportit të Kosovës, në përgjithësi ndihmon të rinjtë e të rejat e Kosovës, që të përfaqësojnë vendin e tyre në arenën ndërkombëtare, por gjithashtu edhe të bëhen pjesë e barabartë në çdo fushë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre kudo në botë”.
Ajo më tej tha se “Kosova po bën përpjekje të vazhdueshme që të behët anëtare e plotë e të gjitha institucioneve ndërkombëtare si shtet kontribuues për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme”.
Ajo tha se institucionet e Kosovës janë fuqishëm të angazhuara për të mbështetur aktivitetet e çdo fushe, qoftë të sportit, kulturës e artit si dhe i vlerësoj lartë të gjitha të arriturat në skenën ndërkombëtare.
Delegacioni i FHK-së në fund të takimit i dhuroi Presidentes Jahjaga flamurin e kësaj Federate dhe një monografi të Hendbollit të Kosovës, që përmbledhë aktivitetin 60 vjeçar të këtij sporti në Kosovë. /Telegrafi/


