Istogu: Njëherë trajneri, pastaj përforcimet
Fundjava pritet të jetë vendimtare për fatin e trajnerit të Istogut, Nazmi Rama, kontrata e të cilit me klubin i ka skaduar me të përfunduar stinori vjeshtor. Rezultatet e dobëta në xhirot e fundit kanë bërë që zërat kritik të shtohen dukshëm në drejtim të trajnerit mitrovicas, andaj vazhdimi i bashkëpunimit edhe për stinorin pranveror mbetet çështje e diskutueshme.
Drejtori i klubit istogas, Fazli Bytyqi thotë se në fundjavë do të takohet me trajnerin Rama, me ç’rast pritet të sqarohet e ardhmja e këtij të fundit në skuadër. “Aktualisht nuk mund të them asgjë për trajnerin e ri të ekipit, pasi fillimisht do të takohem me trajnerin Rama me të cilin përfundimisht do të sqarojmë mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit apo jo. Si kryesi jemi shumë të interesuar që sa më parë ta zgjedhim çështjen e trajnerit”, u shpreh Bytyqi për ‘Sport Plus’.
Tutje, ai tha se edhe çështja e përforcimeve ka mbetur peng e zgjidhjes së çështjes së trajnerit. “Derisa të mos bëjmë zgjidhjen për trajnerin, nuk po mund të bëjmë asnjë përforcim, pasi çështja e përforcimeve siç dihet është kompetencë e trajneri. Ai më së miri e di se në cilat reparte ka nevojë ekipi për t’u përforcuar”, përfundoi drejtori i ‘troftave’.
Nga ekipi deri më tash është larguar Mark Milicaj, kurse te Besa thonë se kanë arritur marrëveshje me Kushtrim Gashin. Skuadra e Istogut pas përfundimit të stinorit vjeshtor renditet në pozitën e dhjetë me 16 pikë të tubuara. /Telegrafi/


