Please enter at least 3 characters.

Ish-presidenti i Harvardit, Larry Summers, tërhiqet nga roli publik pas publikimit të email-eve të Epstein

Ish-presidenti i Universitetit të Harvardit, Larry Summers, tha se do të tërhiqet nga angazhimet publike pasi email-et e tij me financierin e turpëruar Jeffrey Epstein u bënë publike.

"Jam thellësisht i turpëruar për veprimet e mia dhe e njoh dhimbjen që ato kanë shkaktuar. Marr përgjegjësi të plotë për vendimin tim të gabuar për të vazhduar komunikimin me Epstein", tha Summers në një për CBS News të hënën.

Në email-et e publikuara nga Kongresi javën e kaluar, Summers, një ish-Sekretar i Thesarit amerikan, komunikoi me Epstein deri një ditë para arrestimit të Epstein në vitin 2019 për trafikim seksual të të miturve.

Të martën, anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të votojnë për publikimin e të gjitha dosjeve që lidhen me Epstein, transmeton Telegrafi.

Ky veprim vjen pasi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së njoftoi se do të hetonte "përfshirjen dhe marrëdhënien" e Epstein me ish-presidentin Bill Clinton, i cili ishte gjithashtu një mik i Epstein, dhe disa demokratë të tjerë të shquar.

Vendimi i departamentit të drejtësisë vjen pas këmbënguljes nga Trump, i cili gjithashtu kërkoi që Summers, themeluesi i LinkedIn, Reid Hoffman dhe bankat JP Morgan dhe Chase, të hetohen.

"Epstein ishte demokrat dhe ai është problemi i demokratit, jo problemi i republikanit", shkroi ai në rrjetet sociale.

"Të gjithë e dinë për të, mos e humbni kohën me Trumpin. Kam një vend për të drejtuar", shtoi ai.

Clinton ka mohuar fuqimisht se kishte ndonjë dijeni për krimet e Epsteinit.

Summers shërbeu si sekretar i thesarit nën Clinton dhe drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar nën ish-presidentin Barack Obama. Ai ishte president i Harvardit nga viti 2001 deri në vitin 2006 dhe aktualisht është profesor atje.

Në deklaratën e Summers të hënën në mbrëmje, ai tha se donte "të rindërtonte besimin dhe të riparonte marrëdhëniet me njerëzit më të afërt me mua".

"Ndërsa vazhdoj të përmbush detyrimet e mia të mësimdhënies, do të tërhiqem nga angazhimet publike si pjesë e përpjekjes sime më të gjerë", shtoi ai.

Qendra për Progresin Amerikan, një grup mendimtarësh liberal në Uashington ku Summers ishte një bashkëpunëtor i lartë, njoftoi në faqen e saj të internetit të hënën se ai nuk është më i lidhur me organizatën.

Summers është ende i listuar si anëtar i bordit të OpenAI, krijuesit të ChatGPT, të cilit ai iu bashkua në vitin 2023 pas një përpjekjeje të dështuar për të shkarkuar drejtorin ekzekutiv të saj, Sam Altman.

Emailet e publikuara nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve javën e kaluar tregojnë se Summers dhe Epstein takoheshin për darkë shpesh, me Epstein që shpesh përpiqej ta lidhte Summers me figura të shquara globale. Në një moment, në korrik 2018, Epstein propozoi një takim me "presidentin e Kombeve të Bashkuara, person interesant për ty".

Në një email të veçantë menjëherë pas zgjedhjeve të para të Presidentit të SHBA-së Trump në vitin 2016, Summers i tha Epstein të "mos bënte asnjë përpjekje për asgjë në lidhje me mua me Trump".

Për shkak të "qasjes së Trump ndaj konfliktit të interesit", "afërsisë" së Putinit dhe "përgjigjes së pamend" ndaj vdekjes së udhëheqësit kuban Fidel Castro, Summers tha se "është më mirë të jetë një milion milje larg".

Një përfaqësues i Summers më parë u tha mediave amerikane se ai "ndjen keqardhje të thellë që ka qenë në kontakt me Epstein, pas dënimit të tij" në vitin 2008 për nxitjen e një prostitute të mitur. /Telegrafi/