Irani është armiku të cilin Netanyahu gjithmonë ka dashur ta shkatërrojë
Burimi: The Guardian (Aluf Benn është kryeredaktor i ditores izraelite Haaretz)
Përkthimi: Telegrafi.com
"Jemi në vitin 1938 dhe Irani është Gjermania ... Populli hebraik nuk do të lejojë një Holokaust të dytë". Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përsëritur slogane të tilla për dekada me radhë, duke kërkuar veprim kundër kërcënimit më të madh ndaj shtetit të hebrenjve - një Iran i armatosur me armë bërthamore. Ia ka përcjellë këtë mesazh presidentëve të njëpasnjëshëm të ShBA-së. Në OKB madje paraqiti një karikaturë me bombë. Në shumë aktivitete përkujtimore për Holokaustin, e përshkroi synimin bërthamor të Iranit si “zgjidhja përfundimtare” e ditëve të sotme.
Netanyahu fliste vazhdimisht për kërcënimin urgjent iranian, por dëgjuesit e tij nuk bindeshin. Ata e quanin alarmist, ndërkohë që Irani kalonte vit pas viti afatin e fundit pa bërë armën bërthamore (dhe ende nuk e ka). Kritikët e tij në vend e tallnin si një frikacak që nuk do të guxonte kurrë të sulmonte instalimet bërthamore të Iranit - ndryshe nga paraardhësit e tij më vendimtarë, të cilët kishin urdhëruar bombardimin e reaktorëve bërthamorë në Irak dhe Siri.
Gjithçka ndryshoi të premten, më 13 qershor.
Në orën tre të mëngjesit, sipas orës lokale, izraelitët u zgjuan nga një alarm urgjent nga Komanda e Frontit të Brendshëm, që urdhëronte të qëndronim pranë dhomave të sigurta ose strehimoreve. Pak më vonë, një njoftim zyrtar bëri të ditur se Izraeli kishte sulmuar uzinat bërthamore dhe mbrojtjen ajrore të Iranit dhe kishte vrarë drejtuesit e tij ushtarakë dhe shkencëtarët bërthamorë. Në mbrëmje, një breshëri raketash iraniane goditi Tel-Avivin dhe rrethinat e tij. Shkëmbimet e bombave, dronëve dhe raketave kanë vazhduar që prej asaj kohe, duke shkaktuar mbi 260 viktima civile në Iran dhe 24 në Izrael, si dhe dëme të mëdha materiale.
Për Netanyahun dhe ndjekësit e tij, 13 qershori është një moment shfajësimi. Një mundësi për të rishkruar trashëgiminë e tij e cila është njollosur nga dështimi për të parandaluar katastrofën e 7 tetorit 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë rreth 1 200 persona, duke çuar 250 pengje drejt Gazës dhe duke nxitur një luftë shkatërrimtare që ende po vazhdon. Kryeministri injoroi paralajmërimet për luftë të afërt ndërsa përpiqej të shtynte agjendën autokratike dhe më pas fajësoi shërbimet e sigurisë, duke përhapur justifikime dhe teori konspirative të cilat vetëm përkrahësit më të zellshëm i besuan.
Lufta pasuese në Gazë bëri pak për të përmirësuar imazhin e Netanyahut si udhëheqës. Edhe pse Izraeli kishte vrarë mbi 55 mijë palestinezë, ai nuk arriti të përmbushte “fitoren përfundimtare” të premtuar nga kryeministri. Hamasi, edhe pse i goditur rëndë, është ende në pushtet, ndërsa 53 pengje izraelite - 20 prej tyre besohet se janë ende gjallë - mbeten në robëri. Për shumë njerëz në botë, emri i Netanyahut është sinonim i masakrave. Edhe në Izrael, ndjenja kundër luftës filloi të rritej pasi ai theu një armëpushim të brishtë më 18 mars.
Por, sulmi ndaj Iranit gëzon më shumë konsensus në Izrael. Një sondazh i publikuar të enjten nga Instituti i Demokracisë në Izrael, tregoi se 82 për qind e të anketuarve hebrenj - përfshirë 57 për qind të atyre që e konsiderojnë veten të majtë - e mbështesin vendimin për të sulmuar Iranin. Ndërsa, ndër të anketuarit arabë, vetëm 11 për qind e mbështesin dhe 65 për qind e kundërshtojnë sulmin ndaj Iranit.
Për izraelitët, Irani është armiku përfundimtar dhe më i frikshëm. Që nga revolucioni i vitit 1979, ai ka predikuar shkatërrimin e “regjimit sionist”. Gjatë viteve, Irani ka ndërtuar dhe armatosur një “unazë zjarri” rreth Izraelit, të udhëhequr nga Hezbollahu libanez dhe arsenali i tij me raketa dhe raketahedhës. Në vitet e fundit, Irani dhe aleatët e tij kishin menduar një plan për të shkatërruar Izraelin përmes një kombinimi të pushtimeve përtej kufirit dhe sulmeve të sakta me raketa. Por, më 7 tetor, Hamasi veproi i vetëm, duke i dhënë Izraelit mundësinë të rigrupohet dhe të godasë armiqtë një nga një.
Në vjeshtën e kaluar, “unaza e zjarrit” u përmbys. Izraeli mposhti Hezbollahun dhe vrau udhëheqësin e tij, Sayyed Hassan Nasrallah, shkatërroi mbrojtjen kyçe ajrore të Iranit dhe pa regjimin sirian të Assadit - aleatin më të vjetër rajonal të Iranit - të bie brenda natës. Qielli i Teheranit tani ishte i hapur për bombarduesit izraelitë, njësoj si ai i Gazës, dhe zëra gjithnjë e më të fortë i kërkonin Netanyahut të përmbushte misionin e tij jetësor dhe të sulmonte Iranin - përfshirë edhe ish-kryeministrin Naftali Bennett, rivalin e tij në zgjedhjet e ardhshme.
Pavarësisht kësaj mundësie ushtarake, pika e kthesës në planet luftarake të Izraelit ishte rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Netanyahu besonte se mund të merrte një dritë të paprecedentë të gjelbër për të goditur uzinat e pasurimit të uraniumit dhe fabrikat e raketave në Iran. Udhëheqësia ushtarake e Izraelit hezitonte të vepronte pa pëlqimin e ShBA-së i cili nuk kishte ardhur kurrë më parë. Me rikthimin e Trumpit në detyrë, Netanyahu i kapërceu dyshimet e veta. Amerikanët ishin në dijeni për përgatitjet e luftës në Izrael. Por, Trumpi kishte lajme të këqija për Netanyahun: ai kishte zgjedhur të negociojë një marrëveshje të re bërthamore me Iranin, shtatë vjet pasi e kishte hedhur poshtë marrëveshjen e Barack Obamas nën presionin e vetë Netanyahut. Udhëheqësi izraelit e shtyu operacionin, për ta nisur kur skadoi afati 60-ditor që Trumpi i kishte dhënë Teheranit. Nga këndvështrimi i Netanyahut, mbështetja e Trumpit për sulmin - sado e vakët në fillim - është arritja më e madhe diplomatike e karrierës së tij.
Për shumë izraelitë, sulmi i parë i suksesshëm risolli kujtimet e fitores më të madhe ushtarake të Izraelit - lufta gjashtëditore e vitit 1967. Analistët amerikanë nxituan ta shpallin Izraelin hegjemonin e ri rajonal. Edhe pse miliona izraelitë vraponin drejt strehimoreve, disa herë në ditë, Netanyahu dhe udhëheqësia e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit [IDF] shfaqnin eufori, duke kërkuar të fshijnë dështimin e 7 tetorit dhe batakun e Gazës. Ata patën pritshmëri të larta për ndërhyrje të drejtpërdrejtë amerikane - të nevojshme për të shkatërruar uzinën bërthamore nëntokësore të Iranit - dhe për ndërrim regjimi në Teheran, duke kërcënuar me vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Por, Netanyahu, i cili ishte rekrutuar në forcat speciale të IDF-së menjëherë pas luftës së vitit 1967, duhej ta dinte mësimin e hidhur të asaj lufte: mburrja çon në vetëkënaqësi, e cila më pas çon në katastrofë - siç ndodhi në vitin 1973, kur Egjipti dhe Siria kundërsulmuan. Lëvizjet taktike brilante nuk garantojnë fitoren, pasi mund të kthehen në shkarje dhe ngurrim. Suksesi i Izraelit për të ndalur programin bërthamor të Iranit mbetet ende i paqartë, por zhvillimi i një “lufte të qyteteve” mes Teheranit dhe Tel Avivit është qartazi shkatërrimtar.
Ditët e para të fushatës së tij kundër Iranit i sollën Netanyahut një çast lehtësimi nga telashet politike. Gjyqi për korrupsion, ku ai po merret në pyetje, është shtyrë. Udhëheqësit e opozitës duartrokitën vendimin e tij për të sulmuar Iranin. Dhe, pamjet e përsëritura të 7 tetorit dhe historitë për pengjet - kujtime të përhershme të dështimit të Netanyahut - nuk janë më në oraret kryesore televizive.
Megjithatë, Netanyahu nuk shfaq asnjë interes për pajtim me rivalët e tij të vërtetë apo të imagjinuar. Përkundrazi, ai duket se e sheh imazhin e tij heroik të ri si një mjet për të dyfishuar përpjekjet për ta kthyer Izraelin në një autokraci teokratike - një version hebraik i Iranit. Kritikët e tij nuk u befasuan kur, gjatë një vizite në një spital të bombarduar në Bershebë, foli për “koston” e luftës që kishte paguar familja e tij: shtyrja e dasmës së djalit të vogël. Për ta, ky ishte një tjetër shembull i shkëputjes së tij përbuzëse nga realiteti i izraelitëve të zakonshëm. Kritikët e tij e shohin vendimin për të sulmuar Iranin si politikisht të motivuar dhe të pamatur. Ata janë pakicë, sipas një sondazhi të kryer nga Channel 13 të publikuar të mërkurën, ku 64 për qind e të anketuarve besojnë se Netanyahu vërtet dëshiron ta çlirojë Izraelin nga armët dhe raketat bërthamore të Iranit, dhe vetëm 28 për qind ia atribuojnë luftën motiveve politike. Megjithatë, mbështetja për shkatërrimin e objekteve bërthamore në Natanz dhe Fordo, apo edhe për përmbysjen e udhëheqjes iraniane, nuk është përkthyer në një qëllim për të votuar për koalicionin aktual i cili mbetet jopopullor.
Duket se shfajësimi i Netanyahut do të kërkojë shumë më tepër se disa sulme ajrore mbi Iranin. /Telegrafi/


