Inteligjenca amerikane hedh poshtë pretendimet e Trumpit për raketat iraniane
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Irani së shpejti do të ketë raketa që mund të godasin Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë zyrtarë të inteligjencës amerikane thonë se ky pretendim nuk mbështetet nga informacionet aktuale të inteligjencës amerikane dhe duket i ekzagjeruar, sipas tre burimeve të njohura me raportet e inteligjencës.
Në fjalimin e tij “State of the Union” përpara Kongresit amerikan, Trump filloi ta paraqesë këtë pretendim si një pjesë të arsyetimit për një sulm të mundshëm kundër Iranit, duke thënë se Teherani është “duke punuar për raketa që së shpejti do të arrijnë” Shtetet e Bashkuara, shkruan reuters.
Megjithatë, sipas burimeve, nuk ka pasur ndryshime në një vlerësim publik të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të SHBA-së (DIA) të vitit 2025, i cili thotë se Irani mund të ketë nevojë të paktën deri në vitin 2035 për të zhvilluar një raketë ndërkontinentale balistike (ICBM) të aftë ushtarakisht, duke përdorur teknologjinë ekzistuese të lëshimit të satelitëve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e përshkroi programin e raketave të Iranit si “në rrugë për të zhvilluar një ditë armë që mund të arrijë SHBA-në”, por zyrtarët e inteligjencës nuk kanë gjetur prova të një kërcënimi të menjëhershëm.
Irani vetë mohoi se po punonte për raketa të tilla me rreze të gjatë dhe thotë se programet e tij janë për vetëmbrojtje dhe se raketat aktuale nuk janë të projektuar për të kërcënuar territore amerikane. /Telegrafi/


