Please enter at least 3 characters.

Ikja nga Kosova - rezultat i humbjes së shpresës për një jetë normale

2016/01/ikja-nga-kosova-rezultat-i-humbjes-s-euml-shpres-euml-s-p-euml-r-nj-euml-jet-euml-normale_hd.jpg

Papunësia e lartë, mungesa e një perspektive për të ardhmen tek të rinjtë kosovarë dhe niveli relativisht i ulët i edukimit shkollor dhe universitar, përbëjnë një shqetësim serioz për vendin tonë.
Te rinjtë tanë, për ditë e më tepër po bëhen pesimistë në punën e institucioneve tona. Kjo gjendje e rëndë ekonomike dhe niveli tejet i lartë i papunësisë, sidomos i të rinjve, e kanë sjellë Kosovën në një gjendje tejet të rëndë.

Rinia kosovare po kalon momente shumë të vështira dhe ndodhet në një udhëkryq të madh.
Të dalë nga një luftë e tmerrshme në qershorin e vitit 1999, të rinjtë kanë parë krejt ëndrra të tjera për të ardhmen e tyre, të cilat 15 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë ende vazhdojnë të mbesin veç ëndrra për ta, e fatkeqësisht pothuajse të pa realizueshme, duke qenë se shpresa për të gjetur një vend pune është shuar.

Me këtë problem përballen dhe studentët, sidomos nga koha kur absolvojnë, e sidomos pas diplomimit. Është e paimagjinueshme nga secili i ri që edhe pas mbarimit të shkollimit të lartë të mbetet edhe më tutje i varur nga prindërit. Por, dhe ata persona që pas shumë vështirësive ose ndërmjet lidhjeve të ndryshme arrijnë të gjejnë një vend pune, duhen të kënaqen me rroga tepër te ulëta, të cilat nuk i japin shpresë për një jetë normale, e aq më pak për krijimin e familjes.

Pesëmbëdhjetë vjet po frymojmë në hapësirë të rrethuara nga antivlerat, po jetojmë në frymën e pesimizmit dhe në pamundësi për t’i realizuar ëndrrat tona.

Për shkak të mungesës së perspektivës për të ardhmen, te rinjtë tanë janë te detyruar të reagojnë në mënyra të ndryshme. Një nga këto mënyra, e që muajt dhe ditët e fundit po merr përmasa shqetësuese është edhe imigrimi. Një pjesë e madhe dhe jo vetëm e rinisë, po mundohet t`i shpëtojë gjendjes pasive dhe pa shpresa ndërmjet ikjes, me rrugë ilegale dhe sa të vështira po aq të rrezikshme, për në shtetet perëndimore. Disa e kalojnë shumicën e kohës ne kafene në mungesë të angazhimit në punë, një pjesë tjetër e rinisë detyrohen të merren me aktivitete të paligjshme, të tjerë, që nuk kanë arritur të mbarojnë shkollën apo të vijojnë studimet bredhin rrugëve gjë e cila sjell deri te konsumimi i drogave dhe marrja me aktivitete të dëmshme e që atakon edhe kominitetin ku ata jetojnë, e mos të flasim për dëmin që i shkaktohet këtyre personave individualisht por edhe familjeve të tyre.

Kjo situatë na vendosë ne hartën e shteteve më të korruptuar të rajonit!

Me zemër të thyer po marrin udhën për t’u larguar nga Kosova. mijëra të rinj po mendojnë vetëm për vende të tjera, duke e kërkuar shpëtimin. Për çdo ditë e më shumë po i shohim autobusët përplot me të rinj, por edhe me të tjerë, burra, gra e fëmijë, duke ikur, për të kërkuar të pamundurën, kafshatën e gojës, një jetë më të dinjitetshme. Të përlotur, sepse Kosova, vend i tyre, shteti i tyre, qeveria e tyre i ka harruar. Përderisa jemi dëshmitarë se si politikanët, ata që janë në pushtet vazhdimisht po mendojnë vetëm për xhepat e tyre, mbajnë edhe nga 4-5 vende të punës, shfrytëzojnë pozitat për të punësuar familjarët e tyre, miqtë, e edhe duke shitur vendet e punës, ndërsa të sapodiplomuarit, të rinjtë me master të përfunduar duhet të kënaqen nëse arrijnë të gjejnë vend pune si kamerier nëpër kafeteritë e qytetit.

Megjithëse i kam përfunduar te gjitha provimet e vitit të katërt, unë nuk ngutem ta përfundoj temën e diplomes, arsye e vetme ta mbaj INDEXIN ne xhep, se kur të shkoj në spital bile atje ta marr ndonjë shërbim falas.

A ka diçka më keq, më të rëndë se plot 15 vite pas çlirimit, të përballemi me skenat e vitet të 90-ta, t’i shohim autobusët përplot me të rinj duke e braktisur Kosovën? A jemi të dënuar që secila gjeneratë ta përjetojë këtë pamje, këtë gjendje. Nëse gjatë viteve ’90 e njihnim fajtorin, kujt t’i ankohemi tani për këtë gjendje. Kush po na e vret shpresën?!!

Largimet masive të të rinjve nga Kosova, do të duhej të brengosnin më së shumti qeverinë dhe institucionet. Por, deri më sot asnjë fjalë nga ata. Asnjë lajm se po përpiqen së paku të ndërmarrin diçka, jo t’i ndalojnë, por të angazhohen që të krijojnë kushte që mos të ketë nevojë për ikje.

E barra e ndërgjegjësimit, e thirrjes për mos braktisje, e informimit për gjendjen u ka mbetur disa mediave, analistëve, OJQ-ve. Qeveria, duket të jetë tepër e zënë me ndarjen e posteve të larta qeveritare. Sa më shumë ikje e të rinjve, sidomos intelektualëve, më pak konkurrencë për ambiciozët e paskrupullt, që presin e shtyhen me bërryla që ta zënë një karrige në postet qeverisëse.

Kjo gjeneratë, e cila duhet të fillojë ndërtimin e jetës, familjes dhe karrierës, duhet atë ta kërkojë në Kosovë, jo jashtë saj. Dhe meqë kjo mundësi nuk pi i krijohet, do të duhej që kjo rini, kjo gjeneratë, kjo armatë e studentëve, e të rinjve të ndërmarrin vet diçka.

Do të duhej, dhe është koha e fundit që të kërkojmë formën e zgjidhjes përmes rebelimit, përmes protestave. Është mënyra e vetme për ta bërë ndryshimin. As shteti e as policia nuk mund dhe nuk do të arrijnë ti ndalin ikjet nga Kosova.

Kthimi i shpresës është te ndërrimi i qeverisë dhe qeverisjes. E këtë ndryshim duhet ta bëjnë vet rinia.