Identifikohet dhe ndërpritet një kyçje ilegale e ujit në Shëngjergj të Prizrenit
KRU “Gjakova” ka njoftuar për identifikimin dhe ndërprerjen e një kyçjeje ilegale në rrjetin e ujësjellësit në fshatin Shëngjergj të Komunës së Prizrenit.
Lajmin e ka njoftuar KRU “Gjakova”, përmes një publikimi, ku bëhet e ditur se rasti është evidentuar nga Njësia Operative e kësaj kompanie në Prizren.
Sipas njoftimit, një person gjatë ndërtimit të shtëpisë së tij kishte larguar ujëmatësin ekzistues dhe ishte kyçur në mënyrë të kundërligjshme në një tjetër gyp të rrjetit të ujësjellësit.
Ekipet e KRU “Gjakova” kanë ndërhyrë në terren dhe kanë ndërprerë kyçjen ilegale.
Kompania ka bërë të ditur se për rastin do të ndërmerren veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin në fuqi për kyçjet ilegale dhe keqpërdorimin e ujit.
KRU “Gjakova” ka theksuar se do të vazhdojë kontrollet në terren me qëllim të mbrojtjes së rrjetit të ujësjellësit dhe parandalimit të keqpërdorimit të ujit. /Telegrafi/


