Please enter at least 3 characters.

Ibra: KB nuk ia vlen pa mua; Maradona: Pele s’di çfarë flet kur i gabon barnat

2016/01/ibra-kb-nuk-ia-vlen-pa-mua-maradona-pele-s-rsquo-di-ccedil-far-euml-flet-kur-i-gabon-barnat_hd.jpg

Disa nga to janë zbavitëse, disa prekëse, disa kundërthënëse, derisa të tjerat janë bizare. Megjithatë, të gjitha nga to kanë kryesuar titujt e gazetave më me renome në botën e futbollit.

“Një gjë është e sigurt, Kampionati Botëror nuk ia vlen të shikohet pa mua, prandaj nuk ia vlen pritja për Kupën e Botës”, deklaroi Zlatan Ibrahimovic pasi përfaqësuesja e Suedisë u eliminua në ‘play-off’ nga Portugalia.

“Nuk më pëlqejnë krahasimet me Pelen, për shkak të budallallëqeve që thotë. Ai vazhdon të thotë gjëra pa lidhje kur i merr branat e gabuar”, ka deklaruar legjenda argjentinase, Diego Maradona, duke komentuar krahasimet me legjendën braziliane si dy më të mirët në historinë e futbollit.

“Ai (Cristiano Ronaldo) kalon më shumë kohë te floktari”, ishte deklarata e Sepp Blatter rreth CR7, kur u pyet nëse e preferonte portugezin apo Lionel Messin. 77-vjeçari e ka përshkruar 28-vjeçarin si një “komandant në fushën e lojës” (duke e imituar atë), para se të thoshte se e preferon Messin. Kjo deklaratë bëri bujë në botën e futbollit, ndërsa nuk munguan reagimet e Ronaldos, Real Madridit dhe shumë lojtarëve të tjerë.

“Nuk më duhet Topi i Artë që të dëshmoj se jam më i miri. (Ai çmim) ka rëndësi për lojtarët tjerë...”, ka komentuar Ibra faktin që asnjëherë nuk e ka fituar çmimin prestigjioz individual.

“Duam futbollistë – jo modelë. Në sezonin e kaluar, ai ka ndryshuar më shumë stile flokësh sesa numri i golave që ka shënuar”, tha trajneri i Chelseat, Jose Mourinho, kur u pyet nëse është i interesuar për transferimin e Kevin-Prince Boateng.

“Ka shumë të rinj që presin ta zënë vendin tim, por jo çdo student i mjekësisë bëhet kirurg”, ka deklaruar trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, vendin e të cilit spekulohet se mund ta zënë Clarence Seedorf ose Pippo Inzaghi.

“Pas disa ndeshjeve këtë sezon, nuk kam pasur nevojë as të bëj dush. Po, nganjëherë është e mërzitshme të jesh portier”, është shprehur Manuel Neuer duke folur për formën e jashtëzakonshme të kampionit evropian dhe botëror për klube.

“Ai (Luis Suarez) e kafshoi dikë (Branislav Ivanovicin e Chelseat). Jam i sigurt se do t’i përmirësojë gjërat me të. Unë u pajtova me Evander (Holyfield) dhe vazhduam me jetët tona”, ka thënë ish-kampioni i boksit, Mike Tyson, pas rastit të shumëpërfolur në Ligën Premier që e suspendoi uruguaianin për dhjetë ndeshje.

“Në pauzë ia përsërita arbitrit se nuk ishte e sigurt të luhej në këto kushte. Didier Drogba tha se ishte e njëjta gjë për të dyja skuadrat, por unë thash se nuk ishte ashtu, sepse ne përpiqeshim të luajmë futboll”, deklaroi trajneri i Juventusit, Antonio Conte, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, falë një goli të vonshëm të mesfushorit të Galatasarayt, Wesley Sneijder, në Turk Telekom Arena, në sfidën që u zhvillua në kushte të këqija atmosferike.

“Faus është një person që nuk di asgjë për futbollin. Ai përpiqet ta drejtojë Barcelonën si një biznes, por ky është një klub futbolli. Barcelona është klubi më i mirë në botë dhe duhet t’i ketë edhe drejtorët më të mirë në botë”, u shpreh Lionel Messi në sulmin e tij të drejtpërdrejtë kundër zëvendëspresidentit Javier Faus, ndërsa kjo deklaratë nxiti spekulime se argjentinasi mund të largohet nga Camp Nou.

“Ne po shikonim listën e këngëve të tij (në iPod) në zhvestore – dhe kishte shumë këngë të Justin Bieber, Jonas Brothers she Selena Gomez... Është mirë të kuptosh se madje edhe David Beckham nuk ka shije të mirë në gjithçka”, tregoi sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Zlatan Ibrahimovic, për shijen muzikore të asokohe bashkëlojtarit të tij, David Beckham.

“Asnjëherë nuk e kam pasur mendimin as më të vogël për të montuar një ndeshje. Nëse diçka e tillë dëshmohet, jam i gatshëm të dal në rrugë dhe e di se kjo është diçka e rëndë për t’u thënë, por do ta vrisja veten”, deklaroi Gennaro Gattuso kur u akuzua për montim ndeshjesh në Itali.

“Para së gjithash, faleminderit Manchester Unitedit, jo vetëm drejtorëve, jo vetëm stafit mjekësor, stafit të trajnerëve, lojtarëve, tifozëve, të gjithëve. Keni qenë përvoja më fantastike e jetës sime. Faleminderit”, theksoi Sir Alex Ferguson në momentin e pensionimit, pasi kaloi 27 vite mahnitëse si trajner i Djajve të Kuq.

“Pa futbollin, do të kisha qenë i varfër dhe ndoshta i papunësuar”, është shprehur anësori i Bayern Munichut, Franck Ribery.

“Askujt nuk i pëlqen të luajë ndaj Barcës, përveç mazohistëve”. Edhe pse Bayern Munichu i shkeli Blaugranët me rezultat 7-0 në dy ndeshjet e Ligës së Kampionëve në sezonin e kaluar, Thomas Muller mendon se gjithmonë është vështirë të luash kundër ekipit katalunas.

/Telegrafi/