Ibishi: Paralajmërimi i Vuçiqit për armatim rrit tensionet në rajon
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se Beogradi po përballet me presione politike nga rajoni, duke përmendur drejtpërdrejt Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, ndërsa ka paralajmëruar rritje të mëtejshme të armatimeve dhe modernizim të ushtrisë.
Në një postim në Facebook, Vuçiq pretendoi se situata e sigurisë është “më komplekse” se në janar, duke e lidhur këtë me, siç e quajti ai, “aleancën ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”.
“Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në janar, (…) kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtines, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fuqishëm”, shkroi Vuçiq.
Ai shtoi se institucionet serbe do të vazhdojnë punën për forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në rajon.
Vuçiq tha se ka propozuar miratimin e një strategjie për “robotizimin” e ushtrisë.
Sipas tij, plani përfshin krijimin e njësive të pajisura me platforma robotike dhe dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi, përdorimin e municioneve “fluturuese”, trajnimin e njësive speciale të zbulimit për përcaktimin e koordinatave të objektivave për artileri dhe aviacion, si dhe zgjerimin e përdorimit të dronëve në pjesë të tjera të ushtrisë.
Ibishi: Armatimi i Serbisë po rrit tensionet në rajon
Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka shprehur shqetësim për rritjen e investimeve ushtarake të Serbisë dhe ndikimin e tyre në sigurinë rajonale.
Duke folur në emisionin “FIVE”, Ibishi tha se procesi i armatimit po krijon tensione në rajon, ndërsa përmendi se Serbia po siguron armë nga Kina, Rusia dhe Irani.
“Edhe qytetarët e Serbisë janë të shqetësuar nga gjithë ky investim në armatim, por mbi të gjitha edhe kërcënimi rajonal, ngase këto armë që Serbia po i siguron (…) krijojnë një situatë mjaft të tensionuar dhe pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje si Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut,” deklaroi Ibishi.
Ai shtoi se Serbia po zhvillon edhe stërvitje pranë kufirit, përfshirë zonën e Bujanocit, duke thënë se kjo po rrit frikën te banorët shqiptarë në atë pjesë.
Ibishi përmendi edhe aspektin financiar të armatimeve, duke deklaruar se vitin e kaluar shpenzimet kanë kaluar mbi 2.2 miliardë euro, si dhe ngriti shqetësime për disa armë specifike që Serbia po blen, përfshirë raketën CM-400AKG.


