Hyundai e kthen Palisade në “sallon luksoz”: çati 24 cm më e lartë dhe ekran gjigant 21.4-inç
Hyundai ka prezantuar në Korenë e Jugut një version krejt të veçantë të SUV-it të saj Palisade, të quajtur Palisade High Roof, i cili është krijuar për klientët që kërkojnë më shumë hapësirë dhe luks në pjesën e pasme.
Çatia e SUV-it është ngritur me rreth 24 centimetra, duke e çuar lartësinë totale të automjetit në rreth 2.005 metra, transmeton Telegrafi.
Por ndryshimet nuk ndalen te pamja e jashtme. Palisade High Roof është pajisur me rrota 21-inç me goma Pirelli dhe sistem standard të avancuar të pezullimit elektronik.
Brenda, Hyundai ka krijuar një atmosferë të ngjashme me një sallon luksoz. Në tavan është vendosur një ekran gjigant 21.4-inç, i dedikuar për pasagjerët e rreshtit të dytë, ndërsa kabina ka ndriçim LED, drita leximi që dalin nga tavani dhe një tavan me efekt “qielli me yje”.
Versioni mund të pajiset edhe me VIP Package 2, i cili shton një konsolë qendrore për pasagjerët e pasmë me dy karikues wireless, mbajtëse gotash me ngrohje dhe ftohje, pastrues ajri dhe dyshekë më cilësorë.
Një tjetër veçori është sistemi UV-C për sterilizimin e kabinës, i projektuar për të eliminuar bakteret, viruset dhe kërpudhat.
Dhe sigurisht, gjithë ky luks ka një çmim të lartë.
Palisade High Roof kushton rreth 72.44 milionë won, ose afërsisht 52,300 dollarë, ndërsa versioni bazë i Palisade nis nga rreth 44.78 milionë won, ose 32,300 dollarë.
Kjo do të thotë se versioni luksoz është rreth 62 për qind më i shtrenjtë se modeli bazë.
Për momentin, Palisade High Roof është ekskluziv vetëm për tregun e Koresë së Jugut.


