Please enter at least 3 characters.

Historia pas skenës së fundit më madhështore në kinematografi

Charlie Chaplin në skenën përfundimtare të filmit “City Lights” [Dritat e qytetit]

(Alamy)

Nga: Gregory Wakeman / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur Charlie Chaplin u pyet nga revista Life, në vitin 1966, se cilin nga filmat e tij e konsideronte më të preferuarin, ai vlerësoi Dritat e qytetit [City Lights], përpara se të minimizonte arritjet e tij me, “Mendoj se është i qëndrueshëm, i realizuar mirë”.

Që nga premiera e tij në Kinemanë e Los Anxhelosit më 30 janar 1931, adhuruesit e kinemasë dhe regjisorët kanë bërë lëvdata paksa më entuziaste për komedisë romantike pa zë, në të cilën personazhi i Vagabondit [Tramp] i Chaplinit bie në dashuri me një shitëse të verbër lulesh (Virginia Cherrill) e cila e ngatërron atë me një milioner.

Kur Instituti Britanik i Filmit [BFI] publikoi, në vitin 1952, listën e parë të tij të famshme të filmave më të mirë të të gjitha kohërave, Dritat e qytetit u rendit i dyti bashkë me Ethet e arit [The Gold Rush, 1925] të Chaplinit. Stanley Kubrick, Orson Welles dhe Andrei Tarkovsky e kanë përmendur si një nga filmat e tyre të preferuar, ndërsa skenaristi i Natës së gjuetarit [The Night of the Hunter], James Agee, shkroi se përmbante “pjesën më të madhe të aktrimit dhe momentin më të lartë në filma”.

Lexo po ashtu:
- Gjeniu i harruar i muzikës: Charlie Chaplin
- Dështimi i Chaplinit në garën e "Chaplinit"
- Charlie Chaplin dhe një nga fjalimet më të fuqishme në histori
- Orson Wellesi përçmues: Laurence Olivier ishte "budalla", Spencer Tracy "i urryer", Charlie Chaplin "arrogant" ...
- Kur fillova ta doja veten
- Thënie të Chaplinit: Mund të përkulesh e të mos kapësh asgjë në tokë!
- U solla si hajvan … më mbetej të vuaja!

Momenti në fjalë vjen pikërisht në fund të Dritave të qytetit. Më në fund i ribashkuar me vajzën e luleve, e cila tani sheh, Vagabondi e shikon atë me dashuri, ndërsa kamera errësohet.

Është një skenë me emocione të pastra dhe me ndjeshmëri të thjeshtë, i cili përmendet rregullisht si përfundimi më madhështor në historinë e kinemasë. Në 95 vjetët që nga publikimi i Dritave të qytetit, filma të panumërt kanë tentuar të imitojnë artin e tij të ndjeshëm dhe fuqinë e interpretimit.

Skenë nga filmi “Dritat e qytetit”(Alamy)

Vite të tëra të mundit dhe vuajtjeve krijuese u investuan për të realizuar sekuencën e fundit, e cila funksionon vetëm sepse akti i fundit i Dritave të qytetit e përgatit atë kaq mirë. Pasi Vagabondi mëson se vajza e luleve do të dëbohet nga apartamenti i saj, ai punon si pastrues rruge, pastaj si boksier. Më në fund merr para nga një milioner i dehur i cili e harron atë sapo kthjellet - dhe e akuzon Vagabondin për vjedhje. Pak përpara se Vagabondi të arrestohet, ai i jep vajzës paratë. Ajo arrin të paguajë qiranë dhe të takojë një mjek që mund të shërojë verbërinë e saj.

Disa muaj më vonë, kur Vagabondi lirohet nga burgu, ai zbulon se ajo tani shikon dhe drejton një dyqan të suksesshëm lulesh. Vagabondi, i sfilitur, shfaqet jashtë. Kur ajo më në fund e njeh, një shprehje e thellë dashurie shfaqet në fytyrën e saj. Ai buzëqesh, ndërsa filmi përfundon.

“Ishte aq i dëlirë”

Charles Marland, autor i librit Klasikët e BFI-së [BFI Classics], kushtuar Dritave të qytetit, beson se skena e fundit është shembulli përfundimtar i mjeshtërisë së Chaplinit si regjisor. “Ai e dinte si t’i kornizonte planet për të intensifikuar efektin emocional të skenës. Kamera ngushtohet nga një plan mesatar në një plan të afërt”, i thotë ai BBC-së, përpara se të theksojë se Chaplini njëherë ka thënë se përdorte plane të gjata për komedinë dhe plane të afërta për tragjedinë dhe dramën. “Pastaj është kolona zanore, e cila është komplekse, emocionale, dhe ngjall një reagim intelektual”.

Të gjitha këto nuk do të kishin asnjë vlerë pa interpretimet e Chaplinit dhe Cherrillës, e cila në mënyrë të jashtëzakonshme bëri debutimin e saj filmik me Dritat e qytetit. Pasi xhiruan disa skena të shkëmbimit të fundit të tyre, Chaplini kuptoi se po e tepronin, po aktronin dhe po ndjenin së tepërmi, thotë Marland. Kështu që Chaplin vendosi që Vagabondi duhej vetëm ta shikonte atë me më shumë intensitet. Sipas Marlandit, Chaplini e përshkroi njëherë xhirimin e sekuencës si “një ndjesi të bukur të mungesës së aktrimit. Si të isha jashtë vetes. Çelësi ishte të isha paksa i turpëruar, i gëzuar për ta parë sërish, i penduar pa u bërë emocional. [Vagabondi] po e shikonte dhe po pyeste veten çfarë po mendonte ajo. Ishte aq e pastër”.

Skenë nga filmi “Dritat e qytetit”(Alamy)

Vite pas publikimit të Dritave të qytetit, Cherrill i tha autorit të librit Çaplini: Gjeniu i kinemasë [Chaplin: Genius of the Cinema], Jeffrey Vance, se Chaplini zakonisht kishte lëkurë të thatë, por ndjeu se pëllëmba e tij bëhej e lagësht teksa i afroheshin performancës së kërkuar. “Ajo e dinte se po ndodhte diçka e pazakontë me të”, ka thënë Vance për BBC-në. “Se ajo po ia jepte atij atë që dëshironte dhe ai po reagonte ndryshe. Ai po reagonte si personazhi”.

Një arsye thelbësore pse Dritat e qytetit ka vazhduar të jehojë gjatë dekadave është vendimi i Chaplinit për të prerë skenat para se të jepte një zgjidhje përfundimtare. Romantikët do të pretendojnë se, pavarësisht pamjes së tij të vjetër dhe mungesës së parave, vajza e luleve e pranon Vagabondin pas asaj që ai bëri për të. Por, ka të tjerë që besojnë se nuk ka asnjë shans që ajo të largohet me të drejt një romanse.

“Nuk mendoj se është romantike”, thotë Vance. “E shohim sqimën e saj kur i rikthehet shikimi. Ajo shikon në pasqyrë. Rregullon flokët. Zhgënjehet që burri i pasur nuk është ai. Kur e sheh për herë të parë Vagabondin, ajo buzëqesh dhe i jep para nga keqardhja”. Duke kaluar nga i gëzuar, i frikësuar, i turpëruar, tek i emocionuar, interpretimi i Chaplinit në ato momente përfundimtare është aq i shtresuar dhe i përmbajtur saqë e lë te shikuesi vendimin për atë që ndodh më pas.

Thjesht më i miri?

Ka, sigurisht, shumë pretendues të tjerë rivalë për titullin e skenës të fundit më madhështore në historinë e kinemasë. Shfaqja e Statujës së Lirisë te Planeti i majmunëve [Planet of the Apes], vetëdijesimi i ngadaltë tek I diplomuari [The Graduate], ngrirja e kuadrit te Buç Kesidi dhe Sandens Kidi [Butch Cassidy and the Sundance Kid], mbyllja e derës te Kumbari [The Godfather] dhe kërkesa e Norma Desmondit për planin e saj të afërt te Bulevardi i muzgut [Sunset Boulevard] meritojnë që të gjitha të përmenden. Por, asnjëri prej tyre nuk është riprodhuar aq shpesh sa momenti përfundimtar i Dritave të qytetit.

Filma të ndryshëm si 400 goditjet [The 400 Blows], Kjo është Anglia [This Is England], Vajza e zhdukur [Gone Girl] dhe Drita e Hënës [Moonlight] i kanë borxh Chaplinit, pasi të gjithë përfundojnë me personazhe që shikojnë drejtpërdrejt kamerën. Disa filma kanë qenë më të hapur në homazhet e tyre. Menheteni [Manhattan, 1970] i Woody Allenit përfundon me personazhin e tij që buzëqesh me keqardhje ndaj të dashurës së tij të re Trejsi, pasi ajo konfirmon se do të shkojë në Londër për gjashtë muaj. Një vit më vonë, tek E premtja e gjatë [The Long Good Friday], regjisori John Mackenzie u fokusua te gangsteri i Bob Hoskins që kalon përmes një vargu emocionesh ndërsa kupton se është kapur nga atentatorët e IRA-s dhe se do të vritet.

- YouTube

Edhe fundi i filmit të Pixar-it, Përbindëshat [Monsters, Inc]. i bën një nderim të animuar Dritave të qytetit. Në vend që të tregojë ribashkimin e Sallit me Bunë, pas ndarjes së dukshme kur portali drejt dhomës së saj u shkatërrua, ne vetëm e shohim atë duke hapur derën e saj, duke shikuar përreth, duke dëgjuar Bunë të thotë: “Kiti” dhe duke buzëqeshur.

Siç ndodh shpesh, skenat e shkurta i bëjnë këto momente edhe më të fuqishme. Por, gjithsesi duhen orë të tëra krijimtarie, aftësie dhe talenti - si dhe mijëra, ndonjëherë miliona dollarë - për t’i vendosur këto skena në celuloid. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për Dritat e qytetit. Jo vetëm që ishte filmi më i kushtueshëm i Chaplinit - me kosto prodhimi prej 1.5 milionë dollarësh [rreth 30 milionë dollarë ose 25.7 milionë euro sot] - por ai kaloi vite duke krijuar historinë, duke e xhiruar atë dhe duke shpresuar se do t’i përmbushte pritshmëritë e mëdha që ndiqnin punën e tij.

Një punë dashurie

Kur kamerat filluan xhirimet e Dritave të qytetit më 27 dhjetor 1928, Chaplini ishte njeriu më i famshëm në botë. Ai ishte ngjitur nga varfëria e Londrës për t’u bërë multimilioner që kishte kontroll të plotë krijues mbi filmat e tij. Aq shumë saqë, edhe pse Këngëtari i xhazit [The Jazz Singer] ishte filmi i parë me zë - vetëm 14 muaj më parë - dhe Holivudi nuk ishte më i interesuar për filmat pa zë, Chaplini nguli këmbë që Dritat e qytetit të mos kishte asnjë linjë dialogu.

“Ai ishte shumë i vendosur që Vagabondi ishte krijesë e filmit pa zë”, thotë Vance. “Por, ai gjithashtu e dinte se kishte nevojë të bënte një film të përsosur. Ndjente se kjo ishte mënyra e vetme që një audiencë të pranonte një film pa zë”. Chaplini ishte aq i përkushtuar për ta bërë sa më të përsosur Dritat e qytetit, saqë kaloi një vit në përgatitje për produksion dhe xhirimet vazhduan deri në shtator të vitit 1930.

Takimi i parë i Vagabondit me vajzën e luleve, ku ajo e ngatërron atë me një milioner, e mundoi Chaplinin aq shumë saqë ende mban rekordin të Ginisit [Guinness] për numrin më të madh të xhirimeve të një skene të vetme. Ai e xhiroi sekuencën 342 herë. Përpjekjet krijuese të Chaplinit ia vlejtën. Dritat e qytetit fitoi trefishin e buxhetit të tij në të hyra dhe u prit me kritika të mira, ndërsa reputacioni i tij u rrit me kalimin e kohës.

Në dekadat që pasuan, pavarësisht satirës së Kohëve moderne [Modern Times], përfundimit frymëzues të Diktatorit të madh [The Great Dictator] dhe sekuencave ikonike komike të Etheve të arit, Dritat e qytetit është vërtetuar të jetë filmi më i qëndrueshëm dhe më i dashur i Chaplinit. “Si romanet e Dickensit dhe dramat e Shakespeareit, filmat e Chaplinit vijnë e dalin nga moda”, thotë Vance. “Por, bukuria e Dritave të qytetit është në thjeshtësinë e tij. Chaplini e dinte që thjeshtësia ishte shumë e vështirë për t’u arritur”.

Fuqia dhe poezia e Dritave të qytetit përmblidhen më së miri nga imazhi i fundit i një Vagabondi plot shpresë, që buzëqesh dhe ëndërron për një të ardhme më të ndritur, të cilën - gati 100 vjet dhe dhjetëra mijëra filma me zë më pas - asnjë fund tjetër nuk ka mundur ta barazojë. “Për këtë arsye Chaplin ishte një gjeni”, thotë Vance. “Për këtë arsye ai ishte klasë më vete”. /Telegrafi/