Historia e Maseratit bëhet film, emra të mëdhenj të Hollywoodit në kast
Historia e gjashtë vëllezërve Maserati, të cilët në vitin 1926 nisën një ëndërr automobilistike nga një punishte në Bolonjë, së shpejti do të shfaqet në ekranin e madh.
Filmi i ri titullohet “Maserati: The Brothers” dhe tashmë është publikuar traileri zyrtar.
Në kast janë emra të mëdhenj të Hollywoodit, mes tyre Al Pacino, Anthony Hopkins, Andy Garcia dhe Jessica Alba.
Filmi tregon historinë e vëllezërve Maserati, vështirësitë e tyre të para dhe rrugëtimin drejt botës së motorsportit.
Një nga momentet kryesore të filmit pritet të jetë Indianapolis 500, garë që Maserati e fitoi në vitet 1939 dhe 1940 me modelin 8CTF Boyle Special.
Xhirimet janë zhvilluar në Modena dhe Cinecittà, ndërsa filmi është aktualisht në fazën e post-produksionit.
Në Itali, premiera pritet të jetë më 15 tetor 2026, megjithëse data ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Regjisor i filmit është Bobby Moresco, ndërsa rolet e vëllezërve Maserati interpretohen nga Michele Morrone, Salvatore Esposito dhe Lorenzo De Moor.
Historia nis nga një punishte modeste dhe përfundon në skenën ndërkombëtare të motorsportit, duke treguar se si një familje italiane arriti të sfidojë emrat më të mëdhenj të automobilizmit.
“Maserati: The Brothers” pritet të sjellë historinë e origjinës së markës italiane dhe trashëgiminë e saj të pasur në garat automobilistike.


