Hillary Clinton sfidon republikanët: Do të dëshmojë për Epstein, por para publikut
Hillary Clinton kërkon seancë publike mbi hetimin për Jeffrey Epstein, akuzon republikanët për shpërqendrime politike.
Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka bërë thirrje për një seancë publike në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve mbi hetimin për pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein, duke theksuar se një depozim prapa dyerve të mbyllura nuk mjafton.
Ajo akuzon republikanët se po e shndërrojnë hetimin në një “shpërqendrim politik”.
“Për gjashtë muaj, ne kemi bashkëpunuar me republikanët në Komitetin e Mbikëqyrjes me qëllim të mirë. U kemi thënë çfarë dimë, nën betim. Ata i kanë injoruar të gjitha. Kanë ndryshuar rregullat dhe e kanë kthyer llogaridhënien në një lojë shpërqendrimi. Le të ndalojmë lojërat”, tha ajo përmes rrjeteve sociale.
Ajo iu drejtua drejtpërdrejt kryetarit të Komitetit, James Comer me fjalët se “nëse dëshiron këtë përballje, le ta kemi atë – në publik. Ti do të flasësh për transparencën, dhe nuk ka gjë më transparente sesa një seancë publike, me kamera të ndezura. Ne do të jemi aty”.
Ky reagim vjen pasi hetimi për Epstein dhe lidhjet e tij me figura të larta politike dhe ekonomike ka qenë një nga çështjet më të ndjeshme që ka shqyrtuar Komiteti i Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve.
Clinton thekson rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies, duke kritikuar mënyrën se si republikanët, sipas saj, kanë menaxhuar procesin.
Duke kërkuar seancë publike, Clinton synon që çdo provë dhe dëshmi të bëhet e njohur për opinionin publik, duke i dhënë rast publikut të ndjekë hetimin dhe të gjykojë në mënyrë të informuar për zhvillimet. /Telegrafi/


