Haxhiu akuzon opozitën për certifikimin e Listës Serbe: E ngritën dorën
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka drejtuar akuza ndaj opozitës për rolin në certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Në një postim në Facebook, Haxhiu tha se Lista Serbe “mbetet bombë e kurdisur në vendin tonë”, duke e cilësuar këtë subjekt si vazhdimësi të ndikimit të drejtpërdrejtë të Beogradit në jetën politike të Kosovës.
“Kur nuk mësohet nga gabimet, atëherë krejt çka mbetet është të çuditurit nga manifestimi i vet veprimeve të gabuara në kohë. Kështu, në dialog e krijuan një subjekt të Serbisë në Kosovë si Lista Serbe, pastaj u varën pafundësisht nga ky subjekt i Beogradit që e ngrente për hunde bash secilën qeverisje – përveç qeverisë Kurti”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas saj, opozita pati mundësinë të ndalonte certifikimin e Listës Serbe, por zgjodhi të veprojë ndryshe, pavarësisht që, siç theksoi Haxhiu, ky subjekt nuk është distancuar kurrë nga sulmi i armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, ku nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, konsiderohet organizator dhe prijës i sulmit.
“E ngritën dorën dhe e certifikuan. Kështu nga gabimi në gabim, pa e kuptuar rëndësinë jetike të veprimit të drejtë, kombëtar e historik”, shtoi ajo.
Postimi i Haxhiut vjen në një kohë kur në një operacion të realizuar nga organet e sigurisë më datat 5 dhe 6 prill janë ndaluar gjithsej 16 persona të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë.
Ministri Sveçla në një postim në Facebook ka thënë se katër prej të ndaluarve janë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë. /Telegrafi/


