Hasani për Specialen: Nuk ka logjikë që provat e përpunuara të kenë status të barabartë me dëshmitë e njerëzve si Wesley Clark
Tashmë po afrohen pesë vite nga nisja e gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, proces që prej fillimit është shoqëruar me kritika dhe reagime të shumta, ndonëse kjo gjykatë u themelua nga vetë Kosova.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani, ka vlerësuar se gjyqtarët e Speciales kanë pasur kushte ideale për të punuar, për të mbrojtur dëshmitarët dhe për të siguruar çdo provë të mundshme.
Megjithatë, ai ka kritikuar mungesën e transparencës, veçanërisht për mungesën e institutit të mbrojtjes në liri për të akuzuarit, në një fazë kur provat tashmë ishin administruar.
Në një intervistë për RTK, Hasani e cilësoi këtë proces maratonik si politik, duke e krahasuar me Tribunalin Penal Ndërkombëtar.
Sipas tij, gjykime të tilla shpesh zhvillohen ndaj territoreve dhe popujve të caktuar, ndërsa Kosova u godit nga një narrativë e ndërtuar prej Serbisë me mbështetjen e Rusisë.
“Serbia arriti përmes Rusisë të krijojë narrativën se Kosova është shtet kriminal. Amerika kaloi në defansivë. Këto janë gjykime politike, ndaj territoreve të caktuara”, tha Hasani.
Ai shtoi se provat e përpunuara nga Serbia nuk mund të kenë besueshmëri, pasi ligji e lidh vlefshmërinë e tyre me integritetin e dëshmitarit.
“Kam parë raste kur dëshmitë janë manipuluar, si rasti i Nazim Bllacës. Një dëshmi e përpunuar nga Serbia nuk mund të ketë besueshmëri”, theksoi profesori.
Hasani përmendi edhe peshën e dëshmive të mbrojtjes, duke veçuar ish-komandantin e NATO-s, Wesley Clark, si dëshmitar të rëndësishëm.
“Nuk ka logjikë që provat e përpunuara të kenë status të barabartë me dëshmitë e njerëzve si Clarku, i cili e dinte çdo zhvillim në Ballkan në atë kohë. Jam optimist që të akuzuarit do të marrin lirinë”, u shpreh ai.
Procesi në Hagë pritet të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarëve të mbrojtjes nga data 15 shtator.


