Haradinaj nuk komenton deklaratat e Limajt: Çdo gjë që lidhet me këta është e kaluar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është pyetur lidhur me deklaratat e liderit të Nismës për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, por ai ka refuzuar të komentojë këtë çështje.
“S’kam ndonjë koment, s’po më kujtohet asgjë… A keni ndonjë pyetje tjetër, kjo nuk është diçka relevante. Çdo gjë që lidhet me këta është e kaluar. Jemi para parlamentit. Jemi në bllokim të seancës,” tha Haradinaj.
Ai vazhdoi duke treguar se si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përpiqet të ndihmojë në daljen nga kjo krizë.
“Sikurse e dini, ne në takt tonin si Aleancë i kemi dhënë dy zgjidhje që mos të mbetemi të bllokuar siç kemi mbetur tash e sa kohë. Së pari kemi dhënë mundësinë të votojmë një kandidat të LVV-së, por që na bashkon me votë, kemi dhënë emra. Po ashtu, e kemi bërë edhe një veprim të dytë. Që kemi drejtuar gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të dalim nga kjo gjendje…”, u shpreh Haradinaj.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 9 shkurtit, Haradinaj dhe Fatmir Limaj garuan në koalicion të përbashkët. /Telegrafi/


