Hansi Flick i përmbush të 7 premtimet që ia kishte dhënë Joan Laportas
Sot bëhet plot një vit që kur Hansi Flick u prezantua zyrtarisht si trajner i Barcelonës më 25 korrik 2024.
Që në ditën e parë, gjermani nuk humbi kohë: ai shpalosi shtatë objektiva ambiciozë që synonte t’i realizonte – dhe pas 12 muajsh, shumicën e tyre tashmë i ka përmbushur.
Në krye të listës? ADN-ja e Barçës
“Ideja nuk është të largohemi nga parimet e Cruyff dhe Guardiola,” deklaroi Flick në prezantim. Dhe e mbajti fjalën. Ekipi i tij i dha jetë filozofisë tradicionale të klubit, ndërsa sezonin debutues e përmbylli me një tripletë vendase, duke ngjallur kujtime nga ditët e lavdishme. E vetmja njollë? Një eliminim i ngushtë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Interit.
Balancë mes sulmit dhe mbrojtjes
Flick premtoi “soliditet në të dyja fazat e lojës” – dhe e realizoi. Në fillim të sezonit 2024/25, Barcelona impresionoi me presionin lart dhe mbrojtjen agresive, duke vendosur rekorde për numrin e kundërshtarëve të kapur në pozicion jashtë loje në të gjithë Evropën. Edhe pse u shfaqën disa dobësi drejt fundit, performanca mbeti mbresëlënëse.
Sulmi ishte spektakolar
Skuadra e tij shënoi 174 gola në të gjitha kompeticionet, shifër që hyn në top-3 të historisë moderne të klubit dhe më e larta në Evropë për atë sezon – përpara PSG-së me 147 gola.
Besimi te të rinjtë
Ashtu si në Mynih, Flick nuk e anashkaloi akademinë. Ai i dha debutimin pesë lojtarëve të rinj, përfshirë edhe yllin Lamine Yamal, i cili u shndërrua në simbol të brezit të ri të Barcelonës.
Fleksibiliteti taktik
"Nuk duhet të prisni qëndrueshmëri taktike nga unë," paralajmëroi trajneri. Dhe ashtu ndodhi – ai eksperimentoi vazhdimisht, duke kaluar nga 4-3-3 në 4-2-3-1, me ndryshime që sollën ekuilibër dhe efikasitet.
Fitorja dhe argëtimi – mision i përmbushur
Flick premtoi: "Do të fitojmë tituj dhe do t’i argëtojmë tifozët." Ai i dha të dyja: trofe të mëdhenj dhe momente të paharrueshme, përfshirë katër fitore bindëse ndaj Real Madridit.
Menaxhimi i lojtarëve kyç
Ai menaxhoi rikthimin e Gavin me kujdes pas dëmtimit, dhe nxiti rikthimin në formë të Frenkie de Jong, i cili tani është pranë rinovimit. “Frenkie është një lojtar fantastik,” tha Flick, duke lënë të hapur mundësinë që holandezi të jetë pjesë e planeve afatgjata.
Pas një viti të parë të suksesshëm, Barcelona me Hansi Flick në krye duket më e fortë se kurrë. Dhe nëse ky është vetëm fillimi, sezoni 2025/26 premton të jetë spektakolar. /Telegrafi/


