Hamza zbulon ofertën e Kurtit për PDK-në: Qëndroni në sallë, merreni kryetarin e Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në një konferencë për media ka deklaruar se për këtë parti çështja e presidentit tashmë është e mbyllur.
Hamza është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka treguar vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, pavarësisht se, sipas tij, PDK ka ofruar mbështetje për një kandidat konsensual për president, “pa u përfshirë në qeverisje”.
Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, ka deklaruar se ka pranuar një komunikim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin.
“Oferta e Kurtit ishte që deputetët e PDK-së të qëndrojnë në sallë për Presidentin dhe si këmbim PDK të marrë kryetarin e Kuvendit. Kjo nuk është serioze. Nuk jemi duke folur për kryetar të Kuvendit”, ka deklaruar Hamza.
Hamza tha se Kurti i ka bërë ofertë PDK-së për t’ia dhënë pozitën e kryetarit të Kuvendit, derisa ajo e nënkryetarit që e ka kjo parti t’i kalojë LVV-së.
“E para nuk është serioze kjo, pasi Kryesia e Kuvendit është e konstituar, Kuvendi është i konstituar, nuk e kemi kontestuar këtë çështje. S’po flasim për kryetar të Kuvendit, s’kemi shkuar të kërkojmë as pozitë për veti. Kemi shkuar që vendit me i dhënë institucionale, stabilitet institucional e politik. E dyta nuk është fare serioze. Dhe e treta, që është më me rëndësi, nuk është as Kushtetuese”, tha Hamza për media pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së”, deklaroi Hamza./Telegrafi/


