Hamiti: Kosova 28 muaj nën sanksionet e BE-së për shkak të politikave të Qeverisë Kurti
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka reaguar lidhur me sanksionet që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, duke thënë se vendi tashmë ka hyrë në muajin e 28-të nën këto masa ndëshkuese.
Në një shkrim në rrjetet sociale, Hamiti kujtoi se më 28 qershor 2023 Komisioni Evropian vendosi sanksione të ashpra ndaj Kosovës për shkak të, siç tha ai, “politikave të mbrapshta të Qeverisë Kurti”.
“Sot, më 28 tetor 2025, u mbushën plot 28 muaj prej kur jemi nën regjim sanksionesh të BE-së. Dy vjet e katër muaj. Për sa kohë të qëndrojë Kurti në krye të Qeverisë, sanksionet do të vazhdojnë”, shkroi Hamiti.
Ai shtoi se Kosova ka humbur “rreth 600 deri në 700 milionë euro nga fondet e BE-së” dhe se pasojat e këtyre sanksioneve po i ndiejnë qytetarët e vendit, jo pushtetarët.
“Pasojat e sanksioneve nuk po i vuajnë Albin Kurti dhe shokët e tij në VV, por qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie partiake”, theksoi ai.
Hamiti kujtoi gjithashtu se udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Kurti, kanë bërë thirrje të herëpashershme për heqjen e sanksioneve, por “kjo është e vetmja gjë që kanë mundur të bëjnë”.


