Halimi: Shënoj unë, fiton Kosova
Gjilanasi i talentuar ka ardhur me dëshirë të madhe në grumbullim me Kosovën, ndërsa ai shprehet optimist për ndeshjen ndaj Guinesë Ekuatoriale.
Anëtari i skuadrës gjermane FSV Frankfurt, është duke kaluar nëpër një formë fantastike ku ka realizuar edhe tre gola këtë edicion me ekipin e tij.
Në një prononcim për Telegrafin, Halimi flet për ndeshjen ndaj Guinesë, ku premton gol si dhe për të ardhmen e Përfaqësueses së Kosovës.
“Jam shumë i kënaqur që jam përsëri në Kosovë dhe për dallim nga hera e kaluar tani kemi ndeshje që është shumë mirë.
“Për mua është shumë emocionuese kjo ndeshje pasi është e para që do ta luaj në vendlindjen time të shenjtë Kosovë”.
“Nga ky grup i lojtarëve pres shumë pasi kemi filluar ta njohim njëri-tjetrin më shumë dhe kjo është shumë mirë për ne. Shumica e lojtarëve luajnë nëpër liga të respektuara të Evropës dhe kjo tregon se është një grup i mirë me të ardhme”, deklaroi Halimi për Telegrafin.
“Nuk kam njohuri shumë për kundërshtarin, por trajneri i njeh mirë dhe kemi me bërë video analizë për t’i njohur më shumë. Por sipas meje nuk duhet të mendojmë për kundërshtarin por vetëm për lojën tonë dhe hyjmë në ndeshje për të arritur një fitore për tifozët tanë”, tha Halimi.
Ke shënuar gola me skuadrën e Frankfurtit, a do ta shohim gol nga ti edhe me fanellën e Kosovës? “Premtoj se do të mundohem të shënoj gol dhe të fitoj Kosova këtë ndeshje. Synimi im është vetëm fitorja dhe besoj se do t’ia arrijmë”, përfundoi Halimi.
Në fund Halimi ka bërë thirrje tifozëve që të vijnë dhe ta përkrahin përfaqësuesen e Kosovës, pasi nëse stadiumi do të jetë i mbushur do të jetë një plus që lojtarët në fushë ta japin maksimumin. /Telegrafi/


