Please enter at least 3 characters.

Hajrullahu: Ngërçi në Kuvend të marrë fund, tema të mëdha e presin Kosovën

Muhamet Hajrullahu, kryeredaktor i Telegrafit dhe njohës i zhvillimeve politike, duke komentuar bllokadën në Kuvend, tha se po vazhdon një sagë me skenar të përsëritur.

Sipas tij, kjo situatë duhet të marrë fund, pasi Kosovën e presin tema të rëndësishme si çështja e energjisë, inflacioni dhe lobimi për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Hajrullahu partitë politike i konsideron si të papërgjegjshme për të gjetur zgjidhjen për daljen nga kjo situatë, derisa si një nga skenarët për zgjidhjen e këtij ngërçi politik e sheh nëse Presidentja e vendit i fton partitë politike ose dërgimin në Gjykatën Kushtetuese.

Ai konsideron se kjo sagë nuk mund të vazhdojë edhe më tutje, as edhe një javë, sepse kjo situatë duhet të ketë një epilog.

“Për shkak të temave të mëdha që presin Kosovën, për shkak të situatës ekonomike në vend, çështja e energjisë, inflacioni, lobimi i Kosovës për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, etj.”, tha Hajrullahu në “InfoPlus”, RTK.

Hajrullahu tha se përgjegjësia i bie partisë fituese, derisa ftoi partitë politike që të gjejnë gjuhën e përbashkët për të formuar institucionet e vendit dhe për të ecur tutje.