Grabovci thotë se PDK-ja është përcaktuese e koalicionit
“Përcaktues se kush me kë do të jetë në koalicion, do të jetë Partia Demokratike e Kosovës”, thotë Grabovci për lajmi.net.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’ së, Adem Grabovci, thotë se përcaktues në formimin e koalicioneve do të jetë partia e tij.
“Është plotësisht e drejtë dhe demokratike për të zgjedhur dhe për të përcaktuar me kë do të bëjë koalicion. Jam shumë i sigurt se fitorja e radhës e PDK’ së, është e pashmangshme", tha ai.
Partia e Haradinajt është shfaqur mjaftë aktive kohëve të fundit për rrëzimin e Qeverisë. Në rastin e parë AAK kishte iniciuar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Thaçi, iniciativë e cila nuk mori mbështetjen e dy partive më të mëdha opozitare LDK dhe Vetëvendosje.
Ndërsa tani ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për peticion qytetar, me kërkesë për t’iu drejtuar Parlamentit të vendit për ta shkarkuar Qeverinë. Megjithatë, kjo nuk e shqetëson Grabovcin. Ai thotë se kjo nuk është aspak e rëndësishme.
“Përderisa them se jemi duke u marrë me organizimin e zgjedhjeve dhe çështjeve tjera shumë më të rëndësishme, ne e shohim shumë të parëndësishëm këtë peticion. Ne edhe këtë e shohim si mjet demokratik, si shfrytëzim i një të drejte. Por, për atë që mund të themi ne dhe na e preokupon, është organizimi i zgjedhjeve që të jenë sa më cilësore sa më demokratike. Thjeshtë do të angazhohemi maksimalisht të pamundësojmë manipulimin me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe ne do të mundësojmë që vota e qytetarëve të Kosovës të shkojë vërtet për ku e dedikojnë ata”, tha Grabovci. /Telegrafi/


