“Golden Eco” nis misionin për një të ardhme më të gjelbër
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, Fondacioni humanitar "Frutex & Golden Eagle" në Suharekë ka filluar projektin e ri të quajtur “Golden Eco” që ka të bëjë me klasifikimin dhe grumbullimin e mbeturinave.
Përfaqësuesi i këtij fondacioni, Lendrit Palushi, dha më shume detaje për projektin në fjalë, duke thënë se shuma e këtij projekti është rreth 100 mijë euro dhe se do të punësohen 10 punëtorë.
“Gjithë ideja e këtij projekti është që të bëjmë grumbullimin dhe klasifikimin e mbeturinave në shishe qelçi, shishe plastike, kanaqe dhe letër. Grumbullimin kemi filluar ta bëjmë sot në qytetin e Suharekës ku janë vendosur në 13 lokacione janë të vendosura mbi 50 kontejnerë”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se në vitin e ardhshëm ky projekt do të shperndahet edhe në fshatra e në shkolla.
Ai tha se dëshira e tij është komuna e Suharekës të dallohet nga komuna e tjera sa i përket ruajtjes së ambientit.


