Gjoba 200 euro për personin që hodhi mbeturina në rrugën Muçivërc–Krenidell në Kamenicë
Inspektorati Komunal i Kamenicës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka identifikuar dhe gjobitur një person i cili dyshohet se kishte hedhur mbeturina në hapësirën përgjatë rrugës që lidh fshatrat Muçivërc dhe Krenidell.
Sipas njoftimit të Komunës së Kamenicës, personi është identifikuar gjatë kontrolleve dhe monitorimit të hapësirave publike me dronë.
“Në kuadër të kontrolleve dhe monitorimit të hapësirave publike me dronë është identifikuar personi i cili kishte hedhur mbeturina në skaj të rrugës duke vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore për menaxhimin e mbeturinave”, thuhet në njoftim.
Për shkeljen e konstatuar, personit përgjegjës i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 200 eurosh, ndërsa është obliguar që brenda pesë deri në shtatë ditësh t’i largojë mbeturinat.
“Për këtë shkelje personit përgjegjës i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 200 euro, ndërsa njëkohësisht është obliguar që brenda afatit prej 5 deri në 7 ditësh të bëjë pastrimin dhe largimin e mbeturinave të hedhura”, njofton Komuna.
Në rast se mbeturinat nuk largohen brenda afatit të përcaktuar, Komuna ka paralajmëruar se rasti do të procedohet më tej dhe do të ndërmerren masa të tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se kontrollet në këto hapësira do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
“Këto hapësira do të jenë në fokus të kontrolleve të Inspektoratit Komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përfshirë monitorimin me dronë”, thuhet në njoftim.
Sipas Komunës, kontrollet do të synojnë identifikimin e personave që hedhin mbeturina në mënyrë të kundërligjshme, por edhe të atyre që ndezin zjarre në hapësira të palejuara ose në mënyrë të rrezikshme. /Telegrafi/


