Please enter at least 3 characters.

Gënjeu policinë për një aksident që nuk kishte ndodhur, hapet rast për vepër penale

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një rast i raportuar si aksident trafiku në Prishtinë ka rezultuar të jetë i rremë, pas verifikimeve të kryera nga njësitet policore.

Sipas njoftimit, gjatë ditës së djeshme policia ka pranuar informatën për një aksident në kryeqytet, me ç’rast njësitet kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes dhe duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Pas ekzaminimit të vendit dhe analizimit të provave, përfshirë kamerat e sigurisë, njësitet e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë kanë konstatuar se nuk kishte ndodhur asnjë aksident trafiku dhe se rasti ishte raportuar në mënyrë të rreme.

Personi i dyshuar është intervistuar nga organet e rendit, ndërsa në koordinim me Prokurorin e Shtetit ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Deklarim i rremë”.

Policia ka rikujtuar se raportimet e rreme përbëjnë shkelje ligjore dhe pengojnë angazhimin e resurseve në raste reale që kërkojnë ndërhyrje urgjente. /Telegrafi/