Please enter at least 3 characters.

Gara shpejtësie në Gjakovë, Policia ndalon dy raste dhe shqipton gjoba

Policia e Kosovës ka ndërhyrë në dy raste të ndara të garave të shpejtësisë në qytetin e Gjakovës, duke parandaluar situata që mund të rrezikonin drejtpërdrejt sigurinë e pjesëmarrësve në trafik dhe qytetarëve.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, në rrugën “Martirët Qerkezi” janë identifikuar dy motoçikleta që po merrnin pjesë në garë shpejtësie. Në një rast tjetër, në rrugën “Gaspër Karaqi”, zyrtarët policorë kanë hasur dy automjete duke zhvilluar garë të ngjashme.

Falë reagimit të menjëhershëm të patrullave dhe Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor, të dyja rastet janë ndaluar. Ndaj personave të përfshirë janë shqiptuar gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Policia ka rikujtuar se garat e shpejtësisë dhe sjelljet e papërgjegjshme në komunikacion përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe janë ndër faktorët që mund të çojnë në aksidente me pasoja fatale.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e trafikut, të shmangin veprimet e rrezikshme dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë rrugore. /Telegrafi/