“Futbollistët e Superligës po monitorohen për Kombëtaren A”, Foda veçon njërin nga ta
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për talentët që po spikasin në futbollin vendor, duke theksuar se stafi teknik është duke i monitoruar vazhdimisht ndeshjet e Superligës së Kosovës.
Trajneri gjerman bëri të ditur se disa lojtarë kanë tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tyre dhe janë tashmë nën vëzhgim nga Kombëtarja.
Ai shtoi se bashkëpunon ngushtë me përzgjedhësin e Kosovës U21 për të marrë informacione rreth zhvillimit dhe progresit të futbollistëve të rinj.
Foda u ndal edhe te talenti i ri i Prishtinës, Rin Ahmeti, për të cilin tha se konsiderohet një lojtar interesant për të ardhmen. Sipas tij, fillimisht pritet që Ahmeti të vazhdojë zhvillimin me ekipin U21, para se të mendohet për një ftesë eventuale në Kombëtaren A.
“Unë i përcjell vazhdimisht ndeshjet e Superligës së Kosovës dhe afërsisht 3-4 lojtarë më kanë rënë në sy dhe disa prej tyre janë nën vëzhgim. Disa prej tyre janë ftuar edhe te Kombëtarja U21. Jam në kontakt me përzgjedhësin e U21 dhe ai më jep të gjitha informacionet për ta, si po zhvillohen dhe si po përparojnë. Në të ardhmen e afërt, ata mund të ftohen edhe në Kombëtaren A”, ka thënë fillimisht Foda.
“Rin Ahmeti është një nga futbollistët interesant, të cilin po e vëzhgojmë. Po presim që ai të zhvillohet edhe më shumë me ekipin U21 dhe më pas ta kemi edhe në ekipin A”, përfundoi trajneri gjerman.
Ndryshe, Dardanët do të luajnë më 31 maj ndaj Çekisë në udhëtim, derisa një javë më vonë presin Andorrën në 'Fadil Vokrri'. /Telegrafi/


