Fundi i luftës, në Alaskë?!
Pas gjashtë muaj përpjekje të pafrytshme, kur përshkallëzimet arritën deri atje sa presidenti Trump të mobilizonte dy nëndetëse bërthamore, të paralajmëronte për pasoja të paparashikuara dhe sanksione ndaj Rusisë, ai do të takohet me presidentin Putin në Alaskë, më 15 gusht, për të diskutuar për një marrëveshje e cila do t’i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. “Kjo marrëveshje”, thotë presidenti me një notë optimizmi të matur, “duket se përfshin shkëmbim territoresh në dobi të të dy vendeve”.
Çfarë nënkuptohet me shkëmbim territoresh, kjo është ende e paqartë. Sot Ukraina kontrollon vetëm rreth 10 kilometra katrorë tokë ruse në Kursk, ndërsa Rusia kontrollon rreth një të pestën e territorit sovran të Ukrainës dhe këmbëngul që çdo marrëveshje të njohë kontrollin e saj mbi Krimenë të cilën e pushtoi më 2014, si dhe në katër rajone të Ukrainës lindore: Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhia. Vetëm disa ditë më parë, në manastirin e Valamit, udhëheqësi rus pohoi se kushtet e tij për t’i dhënë fund luftës nuk kishin ndryshuar: Rusia thjesht po rimerrte territorin e vet; Qeveria e Ukrainës ishte e paligjshme dhe numri i madh i viktimave të Rusisë në luftë nuk ishte i kotë. Analistë rusë vërejnë se Putini është i bindur se po fiton luftën dhe se mund ta arrijë qëllimin e vet për të nënshtruar Ukrainën, t’i shkatërrojë asaj aftësinë për të mbrojtur veten dhe t’i bllokojë anëtarësimin në NATO.
Agjencia Bloomberg sugjeron se për të shmangur sanksionet e naftës, Kremlini është gati të bëjë një gjest ndaj Shtëpisë së Bardhë në formën e një moratoriumi ndaj sulmeve të thella ajrore kundër qyteteve ukrainase - pa ndaluar sulmet tokësore. Kjo është arsyeja pse Kremlini po përpiqet të fitojë kohë duke i bërë lëshime minimale, madje artificiale, Donald Trumpit, i cili beson se vetëm ai mund të arrijë përparime vendimtare në takimet me kundërshtarët e vet. Shumë diplomatë dhe politologë sugjerojnë se Putini mund të jetë më i interesuar në zvarritjen diplomatike apo copëzimin e negociatave për të fituar kohë për të goditur sërish Ukrainën, sesa për të arritur një marrëveshjeje paqeje. Ndërsa, Shtëpia e Bardhë mendon “se ia vlen t’u jepet një shans bisedimeve të drejtpërdrejta”
Evropianët midis skepticizmit dhe shpresës
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë janë të shqetësuar se presidenti Trump dhe presidenti Putin do të arrijnë një marrëveshje pa ta dhe më pas do t’ia imponojnë atë Kievit, prandaj kërkojnë që të dy presidentët të takohen me presidentin Zelensky gjë që, deri tani, rusët e kanë refuzuar, si dhe të kishin një vend në tryezën e bisedimeve, që konsiderohet e pamundur. Kësisoj, të shqetësuar nga mënjanimi, udhëheqësit evropianë dhe ukrainas u takuan në rrethinat e Londrës me zyrtarë të lartë amerikanë për të kuptuar pozicionin e Putinit dhe për t’u siguruar që Trumpi e ka të qartë se çfarë është në lojë. Në deklaratën e tyre, udhëheqësit evropianë kërkojnë që një armëpushim duhet të jetë një parakusht për negociatat dhe jo një mjet negociues rus.
Evropianët besojnë se Putini po kërkon kontrollin rus mbi të gjithë rajonin e Donbasit, provincat Luhansk dhe Donjeck, si dhe zonat e këtyre provincave që Rusia nuk i kontrollon. Në këmbim, do të binte dakord me një armëpushim që do të ngrinte frontin e tanishëm të luftimeve, përfshirë atë rreth Hersonit dhe Zaporizhias, ku trupat ruse nuk kontrollojnë gjithë territorin. Megjithatë, ata ende nuk e kanë të qartë nëse Putini kërkon që Ukraina t’i dorëzojë edhe ato, përfshirë një central kritik bërthamor të cilin Rusia aktualisht e zotëron si shkëmbim territorial. Sipas Wall Street Journal-it, fati i rajoneve Herson dhe Zaporizhia është më pak i qartë. Negociatorët amerikanë po debatojnë nëse Moska synon të ngrijë vijën e frontit apo të tërhiqet prej saj, të paktën pjesërisht, gjë që ndoshta do të lejonte përdorimin e termit “shkëmbim”.
Putini, edhe pse është i interesuar në lehtësimin e sanksioneve, nuk sheh nevojën të bëjë lëshime të rëndësishme, kurse evropianët janë të shqetësuar se shumë lëshime ndaj Rusisë vetëm sa do të ushqejnë oreksin e saj për më shumë, veçanërisht, në vendet baltike.
Zelensky refuzon dorëzimin e territorit
Presidenti Zelensky hodhi poshtë kategorikisht idenë se Ukraina mund t’i dorëzonte tokë Rusisë: “Ukrainasit nuk do t’ia dhurojnë tokën e tyre pushtuesit”, tha ai. “Çdo vendim i marrë kundër nesh, çdo vendim i marrë pa Ukrainën, është në të njëjtën kohë vendim kundër paqes. Këto vendime nuk do të sjellin asgjë. Ato janë të vdekura; ato nuk do të funksionojnë kurrë. Përgjigja për çështjen territoriale të Ukrainës”, përfundoi ai, “është e shkruar në Kushtetutën e Ukrainës. Askush nuk do të tërhiqet nga kjo dhe askush nuk mundet”.
Pos pengesave të shumta politike dhe ushtarake për Ukrainën, që ngërthen kjo situatë, nuk duket ndonjë qëndrim se Rusia do të pranonte ndonjë garanci sigurie që Ukraina mund të merrte nga Shtetet e Bashkuara ose Evropa në këmbim të heqjes dorë nga një pjesë e territorit të vet, si dhe për të ardhmen e aseteve të ngrira ruse. Përpjekjet duhet të synojnë që rusët të pranojnë se Ukraina duhet të jetë e armatosur për të frenuar forcën e plotë të çdo agresioni të ardhshëm rus. Realisht, çështja është “kur” dhe jo “nëse”, Rusia kërcënon të sulmojë përsëri.
Biletë për rikthim?
Qëllimi i presidentit Putin është ta shndërrojë fitoren ushtarake në biletën e kthimit të Rusisë në klubin e fuqive të mëdha të botës. Por, pa njohjen e Perëndimit kjo është e pamundur. Njohja është themel i sovranitetit, mbijetesës dhe ndikimit në sistemin ndërkombëtar; ajo i siguron atij pushtet pa pasur nevojë të justifikohet se si e ka fituar, d.m.th. i konfirmon sovranitetin dhe bëhet i pranishëm në sistemin global. Mirëpo, gjithnjë e më shumë kjo duket si diçka që Putini nuk mund ta arrijë.
Samiti është provë e legjitimitetit të tij. Vazhdimi i negociatave me Marrëveshjet e Minskut dëshmoi se ai synonte fundin e izolimit diplomatik dhe të rifitonte vendin e tij në tryezën e fuqive të mëdha. Ai vepron në një sistem global, ku bashkëpunimi, njohja dhe mbijetesa varen nga diplomacia. Prandaj, angazhohet në negociata për të fituar legjitimitet dhe njohje, për të zvogëluar presionin e jashtëm dhe për të balancuar fuqitë e mëdha, për të përcaktuar ose vonuar rezultatet e konfliktit, për të siguruar aleanca strategjike për përfitime ekonomike si me Kinën dhe Indinë, sepse izolimi është i rrezikshëm. Kremlini e sheh Samitin e Alaskës si një vend ku mund të pretendojë një fitore që, deri më tani, i ka shpëtuar në fushën e betejës. Kjo ndihmon në shpjegimin e kërkesës, në dukje absurde, që Ukraina të tërhiqet nga zonat që Rusia nuk i kontrollon. Për Putinin, fitorja nuk ka të bëjë vetëm me kapjen e territorit, ajo ka të bëjë me diktim të kushteve, rivizatim të kufijve dhe njohje të realitetit të ri. Në këtë mënyrë, Putini mund ta sigurojë legjitimitetin që dëshiron.
Sanksionet
Pamundësia e sanksioneve perëndimore për të dëmtuar ekonominë e Rusisë ka qenë një nga zhgënjimet e vazhdueshme të perëndimit, që nga pushtimi i plotë i Ukrainës, tre vjet e gjysmë më parë. Vitin e kaluar, ekonomia e Rusisë u rrit me më shumë se katër për qind dhe pritet të rritet përsëri këtë vit. Putini i ka përballuar sanksionet me partnerët e rinj tregtarë: Kina blen 47 për qind të eksporteve të naftës bruto ruse, India 38 për qind, Turqia dhe Bashkimi Evropian blejnë nga gjashtë për qind secili dhe këto të ardhura zënë gati gjysmën e buxhetit të Rusisë. Kësisoj, nëse Amerika do të vendoste sanksione dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus, objektivat e parë janë Kina, India dhe Turqia. Me 50 për qind India po kthehet në një nga viktimat më të mëdha të tarifave të Trumpit në Azi, Kina u godit me 30 për qind, Filipinet dhe Indonezia me 19 për qind, Bangladeshi 18 për qind, Vietnami 20 për qind dhe Japonia 15 për qind.
Presidenti Trump është i prirur për luftëra tregtare, madje edhe me aleatët, por a do të ishte vërtet i gatshëm të rrezikonte rëndë marrëdhëniet me Indinë dhe Turqinë vetëm për të ndëshkuar Rusinë? Sa i përket Kinës, shumë besojnë se konflikti me Uashingtonin ka arritur tashmë në një pikë ku nuk është i mundur asnjë përshkallëzim i mëtejshëm. Kina duket se nuk ka gjasa të dorëzohet, por kjo mund të ndryshojë nëse Pekini bindet se Trumpi nuk do të tërhiqet. Në fund të fundit, lidhjet ekonomike të Kinës me ShBA-në janë shumë më të vlefshme sesa miqësia e saj me Rusinë.
Ndryshimi i masave ndaj Indisë për ta ndaluar atë të blejë naftë ruse e ka zënë në befasi kryeministrin Narendra Modi dhe e ka vënë në një situatë të vështirë. Ai nuk mund të pranojë të konsiderohet si një njeri që lejon Trumpin të vendosë për interesin kombëtar të vendit të vet, edhe pse ShBA-ja është tregu më i madh i Indisë për mallra dhe shërbime. Nëse eksportet do të binin me 30 për qind, kjo do të ulte shkallën e rritjes të PPB-së të Indisë me dy për qind.
Perspektiva e sanksioneve dhe tarifave ndaj Rusisë dhe atyre që bëjnë biznes me të nuk duket se e frikëson elitën ruse. Çdo kufizim i vërtetë, argumentojnë ata, do të çonte në një rritje të çmimeve globale të naftës dhe kjo do të thotë çmime më të larta të karburantit në ShBA dhe një goditje të konsiderueshme politike. Sipas pikëpamjes së Kremlinit, Trumpi nuk do ta rrezikonte kurrë këtë.
Epilog
Në Uashington, grupi i ekspertëve të Institutit për Studimin e Luftës është pesimist sepse beson se presidenti rus dëshiron të shkojë përtej këtyre lëshimeve territoriale dhe synon ta kthejë Ukrainën në një shtet kukull: “Putini ende nuk dëshiron t’i japë fund luftës së tij dhe po përpiqet të marrë lëshime dypalëshe nga Shtetet e Bashkuara, pa u angazhuar vërtetë në një proces paqeje”. Për ta, Putini vazhdon të besojë se koha është në anën e Rusisë.
Disa studiues të tjerë kanë venë në dukje se nëse Trumpi do të binte dakord me kushtet e Putinit, kjo do të ishte një përsëritje e Marrëveshjes së Munihut e vitit 1938, që i dha mundësinë Gjermanisë naziste të gëlltiste të gjithë Çekosllovakinë dhe të përgatiste terrenin për Luftën e Dytë Botërore. Megjithëse, ata argumentojnë që rreziku i “një Munihu tjetër”, në rastin e Ukrainës, është më i vogël sepse nuk ka gjasa që ukrainasit të pajtohen me një marrëveshje kaq të pandershme dhe shkatërruese. Sidoqoftë, situata mbetet shumë fluide dhe, ndërsa kanalet e fshehta diplomatike dhe presioni global rriten, ngrirja e luftimeve duket më e besueshme. Ukraina mbetet e vendosur në kërkesën që çdo rezolutë duhet të përfshijë pjesëmarrjen e saj të drejtpërdrejtë, të mbështesë sovranitetin e saj dhe të ofrojë siguri përmes garancive të besueshme.
Gjenerali francez, Thierry Burkhard, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm, thotë se vetëm pas pesë vjetëve të pushimit të të shtënave në Ukrainë, Rusia do të ketë përsëri kapacitetet për të qenë një kërcënim ushtarak për vendet perëndimore dhe veçanërisht për vendet evropiane. Me Shtetet e Bashkuara në tërhiqje, aleatët evropianë kanë shumë punë për të bërë për të ngritur një mbrojtje kontinentale të besueshme.


