Franca e Deschampsit në versionin perfekt: A është kjo skuadra më e frikshme e Botërorit 2026?
Pas fitores 2-0 ndaj Marokut në Boston dhe kualifikimit në gjysmëfinalen e tretë radhazi të Kupës së Botës, Kylian Mbappe u pyet nëse kjo ishte skuadra më e fortë franceze ku ai kishte luajtur ndonjëherë.
Kapiteni i “Les Bleus” nuk dha një përgjigje të prerë.
“Nuk e di nëse është më e forta”, tha Mbappe, duke kujtuar se ka qenë kampion dhe finalist me skuadra që tashmë kishin provuar veten duke fituar trofe. Kjo Francë, sipas tij, ende nuk ka arritur atë pikë.
Por ajo që ai pranoi pa hezitim është se kjo është skuadra me potencialin më të madh që ka pasur ndonjëherë, një ekip që i bën të gjithë të ëndërrojnë për atë që mund të arrijë.
Dhe kjo nuk ishte vetëm një deklaratë modeste. Mbappe bëri dallimin mes dy llojeve të skuadrave të Francës në epokën e Didier Deschamps: atyre që kanë ditur të fitojnë përmes momenteve individuale dhe asaj që po shfaqet tani, një ekip që luan futbollin më të rrjedhshëm, më sulmues dhe më dominues mes skuadrave të mbetura në turne.
Pyetja e madhe është: edhe pa e siguruar ende trofeun, a mund të mbahet mend kjo Francë si një skuadër më e mirë se ajo e vitit 2018 që ngriti Kupën e Botës?
Franca më e talentuar e ndërtuar ndonjëherë?
Nëse lëmë mënjanë historinë dhe shohim vetëm atë që po ndodh në këtë Botëror, statistikat flasin qartë.
Franca fitoi bindshëm grupin e saj, duke mposhtur Senegalin 3-1 dhe Norvegjinë 4-1 pa u vënë seriozisht në vështirësi. Më pas eliminoi Suedinë 3-0 në raundin e 32-shes, kaloi Paraguajin me një fitore minimale 1-0 dhe mposhti Marokun 2-0 në çerekfinale, në një ndeshje ku mbrojtja e saj pothuajse nuk u shqetësua.
Pesë fitore radhazi në fazën me eliminim direkt është diçka që kjo gjeneratë franceze nuk e kishte arritur më parë.
Në qendër të gjithçkaje është natyrisht Kylian Mbappe. Sulmuesi ka shënuar tetë gola në këtë Botëror dhe ka arritur kuotën e 20 golave në tri edicione të Kupës së Botës, vetëm një më pak se rekordi absolut i Lionel Messit. Gjithashtu, ai është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Francës, duke kaluar Olivier Giroud.
Por ndryshimi më i madh këtë herë është se Mbappe nuk po e bën i vetëm.
Michael Olise është shfaqur si krijuesi më i mirë i turneut, me pesë asistime, numri më i lartë i regjistruar nga një lojtar në një Botëror që nga viti 1994.
Ousmane Dembele, fituesi aktual i “Topit të Artë”, ka shënuar pesë gola, përfshirë edhe golin e dytë ndaj Marokut, ndërsa Bradley Barcola dhe Desire Doue i japin Deschamps dy alternativa sulmuese nga stoli që do të ishin titullarë në shumicën e kombëtareve të mbetura.
Tre prej këtyre lojtarëve fituan Ligën e Kampionëve së bashku me PSG-në sezonin e kaluar.
Kjo Francë nuk ka më nevojë për një moment magjik të një lojtari të vetëm për të mbijetuar në ndeshjet e mëdha. Ajo ka katër apo pesë futbollistë që mund të kontrollojnë ritmin e lojës dhe të vendosin se si do të zhvillohet një përballje.
Një skuadër që di të fitojë në çdo mënyrë
Ndeshja ndaj Paraguajit tregoi karakterin e kësaj skuadre.
Përballë një kundërshtari që nuk kërkonte të luante futboll, por të prishte ritmin dhe të provokonte gabime, Franca nuk humbi qetësinë. Ajo tregoi maturi dhe e menaxhoi situatën pa panik.
Ndërsa sfida ndaj Marokut tregoi shumëllojshmërinë e këtij ekipi.
Mbappe humbi një penallti në pjesën e parë dhe u duk për pak momente i shqetësuar nga konfuzioni rreth vendimit të VAR-it – një situatë që në të kaluarën mund të kishte ndikuar te Franca, por këtë herë jo.
Desire Doue ishte lojtari më i mirë në fushë për një periudhë të gjatë dhe krijoi aksionin e golit të parë me një prekje fantastike që dërgoi topin drejt Mbappes.
Olise vazhdoi të kontrollonte ritmin, duke fituar faulle dhe duke krijuar hapësira edhe kur Maroku tentonte të mbyllej. Dembele, edhe pse jo gjithmonë aktiv, gjeti mënyrën për të shënuar.
Ky është sekreti i Francës së re: shumë lojtarë po japin kontribut në të njëjtën ndeshje.
Miti i skuadrës “gjithmonë të mbushur me yje”
Përpara çdo turneu është bërë zakon të thuhet se Franca është “gjithmonë e mbushur me talente”.
Por talenti nuk ka qenë kurrë faktori i vetëm që ka ndarë suksesin nga dështimi.
Çdo skuadër e Deschamps që nga viti 2016 ka pasur cilësi të jashtëzakonshme individuale. Dallimi ka qenë nëse ato talente kanë funksionuar si një ekip i organizuar apo thjesht si një grup yjesh që prisnin momentin e duhur.
Skuadra e vitit 2018 shpesh kujtohet si një gjeneratë që luante futboll spektakolar, por realiteti ishte ndryshe. Ajo Francë ishte ndërtuar mbi disiplinën defensive, shpejtësinë në kundërsulm dhe aftësinë për të ndëshkuar kundërshtarët që linin hapësira.
Ishte një formulë që funksionoi në mënyrë perfekte, por tregoi edhe kufijtë e saj kur kundërshtarët nuk i jepnin mundësi për tranzicion.
Problemet në Evropianë
Në Euro 2020, Franca u eliminua nga Zvicra në raundin e 16-shes, pasi humbi një avantazh 3-1. Kylian Mbappe humbi penalltinë vendimtare në seri.
Ky eliminim nuk ishte thjesht një rastësi. Franca nuk kishte gjetur ende mënyrën për të dominuar ndeshje kur kundërshtari nuk sulmonte dhe nuk linte hapësira.
I njëjti problem u shfaq edhe në Euro 2024.
Franca arriti deri në gjysmëfinale falë një mbrojtjeje të fortë dhe rezultateve minimale, por pa një identitet të qartë ofensiv. Përballë Spanjës, e cila kishte një plan të qartë loje dhe presion të lartë, ajo u eliminua.
Dy turne, tre vite larg njëri-tjetrit, me të njëjtin përfundim: një Francë me shumë talent, por pa një mënyrë të qartë për të kontrolluar ndeshjet.
Nga varësia prej Mbappes te një ekip i kompletuar
Botërori 2022 ishte më kompleks.
Franca arriti finalen dhe Mbappe zhvilloi një nga paraqitjet më të mëdha individuale në historinë e Kupës së Botës me hat-trick në finalen ndaj Argjentinës.
🇫🇷France 4-3 Argentine🇦🇷- huitièmes de finale de la Coupe du Monde 2018.
Le meilleur match de cette édition.🔥🤩 pic.twitter.com/VTbu7XMuxu
— Souleymane⭐️⭐️🇸🇳 (@souleymaane29) July 7, 2026
Por ajo ndeshje tregoi edhe një dobësi: në momentet më të vështira, Franca varej shumë nga talenti i Mbappes.
Nëse ai nuk do të kishte marrë përgjegjësinë dhe nuk do të kishte rikthyer skuadrën në lojë, Franca ndoshta nuk do të kishte arritur kurrë deri te penalltitë, sot situata është ndryshe.
Evolucioni i madh i Deschamps
Kjo Francë ka nisur të marrë formën aktuale pas humbjes në finalen e Euro 2016.
Që atëherë, Deschamps ka kaluar një dekadë duke ndërtuar një skuadër më të qëndrueshme dhe më të plotë.
Botërori 2018 u fitua falë cilësisë individuale dhe organizimit perfekt. Liga e Kombeve në vitin 2021 tregoi shenja të një skuadre më kreative. Ndërsa dështimet në Evropianët e fundit treguan se duhej një ndryshim, ky ndryshim erdhi përmes lojtarëve.
Michael Olise i ka dhënë Francës një krijues të vërtetë, një futbollist që mund të thyejë mbrojtje të mbyllura jo vetëm me shpejtësi, por edhe me kombinime dhe inteligjencë.
Doue dhe Barcola sjellin freski dhe kuptojnë lojën kolektive, ndërsa Rayan Cherki i jep Deschamps një tjetër armë nga stoli.
Për herë të parë në këtë epokë, Franca ka më shumë se një mënyrë për të fituar.
Vallëzimi i fundit i Deschamps
Didier Deschamps ka konfirmuar se ky do të jetë Botërori i tij i fundit si trajner i Francës, dhe koha duket perfekte.
Pas një dekade me skuadra jashtëzakonisht të talentuara, por jo gjithmonë spektakolare, ai ka ndërtuar ekipin më të bukur të epokës së tij.
Në gjysmëfinale e pret Spanja – një përballje që ka peshë të veçantë për këtë brez francez, pas eliminimit në Euro 2024.
Spanja do të jetë testi më i madh për këtë Francë, pasi do të provojë pikërisht ato zona ku ende nuk është sfiduar seriozisht: kontrollin e mesfushës dhe aftësinë për të fituar edhe kur Mbappe nuk është protagonisti kryesor.
Por një gjë është e qartë, kjo skuadër nuk është më ajo e vitit 2018 që priste kundërshtarin për ta ndëshkuar në kundërsulm.
Kjo Francë dëshiron të dominojë, të kontrollojë dhe të fitojë sipas mënyrës së saj.
Nëse Deschamps arrin ta mbyllë aventurën me një tjetër Kupë Bote, atëherë kjo skuadër do të vulosë trashëgiminë e tij si një nga trajnerët më të mëdhenj në historinë e kombëtareve.
Por edhe pa trofeun, ajo që ka ndërtuar në vitin 2026 mund të jetë puna më e mirë e karrierës së tij. /Telegrafi/


