Please enter at least 3 characters.

Filmi gjerman me Armie Hammer në rolin kryesor bëhet viral pasi Elon Musk e promovon në X

Filmi gjerman "Citizen Vigilante", me aktorin Armie Hammer në rolin kryesor, ka marrë vëmendje të madhe ndërkombëtare pasi u promovua nga miliarderi Elon Musk. Filmi, të cilit autoritetet gjermane nuk i dhanë miratimin për shkak të shqetësimeve se mund të nxisë dhunë ndaj emigrantëve, ka përjetuar një rritje të papritur të shikueshmërisë dhe tashmë ka siguruar shpërndarje në mbarë botën.

Thrilleri, me regji të Uwe Boll, ndjek historinë e një biznesmeni që hakmerret me dhunë ndaj kriminelëve emigrantë. Musk e publikoi filmin falas në profilin e tij në rrjetin social X nga e enjtja deri të dielën, duke i dhënë një shtysë të madhe promovimit dhe suksesit komercial të tij.

Filmi u publikua në SHBA më 19 qershor nga kompania Quiver Distribution, e cila, sipas revistës Variety, ka siguruar tashmë edhe të drejtat për shpërndarjen globale. Ndërkohë, Musk paralajmëroi edhe një vazhdim të filmit, duke shkruar në X: “Citizen Vigilante 2 do të jetë edhe më i mirë”.

Në një intervistë për The Telegraph, regjisori Uwe Boll pretendoi se institucioni gjerman i klasifikimit të filmave (FSK) e censuroi qëllimisht projektin e tij.

“Punësova një avokat dhe apelova vendimin, por ankesa jonë u refuzua me raport votash gjashtë me dy. Më thanë se filmi nxit dhunë ndaj emigrantëve”, deklaroi ai.

- YouTubeyoutu.be

Boll e përshkruan filmin si një dramë të ashpër politike, ku Armie Hammer interpreton një sipërmarrës amerikan që në një shtet evropian pa emër nis një fushatë hakmarrjeje të dhunshme. Sipas regjisorit, frymëzimi erdhi nga një rast i ndodhur në Hamburg në vitin 2016, kur tre adoleshentë morën dënime me kusht pasi u shpallën fajtorë për përdhunim në grup.

Megjithatë, filmi nuk është pritur mirë nga kritika. Todd Gilchrist i Variety e cilësoi atë si “një vepër të dhunshme, të paqartë dhe moralisht të falimentuar”, duke shtuar se filmi është “aq i dobët, sa të krijon përshtypjen se Boll po saboton qëllimisht aktorin kryesor”.

Promovimi nga Musk e ka vendosur filmin në qendër të debateve politike dhe kulturore, duke qenë se pronari i X është kritikuar shpesh për mbështetjen që u jep aktivistëve të ekstremit të djathtë dhe qëndrimeve kundër emigracionit.

Vetë Boll zbuloi për Variety se Musk kishte kontaktuar producentët e podcastit të tij për të siguruar filmin.

“Nuk kam folur drejtpërdrejt me të. Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Nuk e di çfarë bën ai çdo ditë, por më duket se e humbet shpejt interesin. Mendova se nëse nuk do të pranonim menjëherë, ai thjesht do të kalonte te diçka tjetër”, tha regjisori.

Filmi ka ngjallur polemika edhe për faktin se shënon një nga përpjekjet e Armie Hammer për t'u rikthyer në skenën e kinemasë, pas akuzave për përdhunim dhe dhunë fizike që dolën në vitin 2021. Aktori i ka mohuar vazhdimisht akuzat, ndërsa autoritetet e Los Anxhelosit vendosën të mos ngrinin akuza penale për sulm seksual ndaj tij.

Një tjetër detaj interesant është se regjisori u detyrua të ndryshonte titullin fillestar të filmit, i cili ishte planifikuar të quhej “The Dark Knight”, pas një, siç e përshkroi ai, “bisede miqësore” me studion Warner Bros. /Telegrafi/