Ferizaj synon rikthim në Superligë
Kjo skuadër pas dy xhirove të zhvilluar deri me tani, ka arritur të realizojë dy fitore, e po ashtu futbollistët e këtij ekipi kanë shënuar plotë tetë gola në dy takime.
Për fillimin e mbarë të kësaj skuadre dhe për synimet që ky ekip ka në këtë edicion, ka folur sulmuesi i këtij klubi, Enis Kuka.
“Kemi arritur të nisim mbarë këtë kampionat, duke shënuar fitore të thella në dy takimet e para. KF Ferizaj nuk e ka vendin në Ligën e Parë. Trajneri po e kryen punën e tij në mënyrë profesionale. Jemi organizuar e gjithë skuadra, duke filluar prej kryesisë e deri tek lojtarët me qëllimin e vetëm, rikthimin e ekipit tonë në Superligë.
Nga skuadra jonë nuk ka pasur shumë largime, jemi munduar që të përforcohemi më shumë dhe po punojmë të gjithë së bashku më një qëllim të vetëm. Atmosfera në ekip është shumë mirë , andaj shpresoj që do të vazhdojmë me këtë ecuri të rezultateve pozitive”, ka thënë për KosovaLive, sulmuesi Kuka.
Sulmuesi i Ferizajt i cili këtë edicion kishte shumë oferta nga klubet tjera, në fillim të këtij kampionati në dy ndeshjet e zhvilluara ka arritur të shënojë tre gola. Formën e tij të lartë po shpreson ta vazhdojë edhe në ndeshjet tjera në vazhdim.
“Deri më tani kam arritur të shënoj tre gola. Shpresoj dhe besoj që do të vazhdoj ta dëshmoj edhe në të ardhmen formën time. Dëshiroj që të shënoj sa më shumë gola në të ardhmen si dhe me angazhimin tim, t’i ndihmojnë ekipit që të rikthehet në Superligë”, ka pohuar, Kuka.
KF Ferizaj ka arritur të mposhtë Luftëtarin dhe Rahovecin ndërsa xhiron e tretë takohet me skuadrën e Dukagjinit.


