Please enter at least 3 characters.

Federerit i mohohet hyrja në zhveshtoren e Australian Open pasi nuk kishte me vete akreditimin

2019/01/5c42ede82bdd7f0a535affc4-960-720.jpg

Ndoshta Roger Federer nuk është edhe aq i njohur sa kemi menduar.

Rezulton se edhe ai duhet të ketë akreditimin me vete nëse dëshiron të futet në zhveshtoren e Australian Open. Në fund të fundit, rregullat janë rregulla.

Gjashtë herë kampioni në Melbourne Park, pronari i mbi 20 titujve Grand Slam, njeriu që ka kaluar më së shumti ditë si i pari në ranglistën e më të mirëve, një nga sportistët më të mirë që ka parë bota në vitet e fundit, është përballur me një moment të sikletshëm.

(Foto: ITF_Tennis / Twitter)

Teksa ai futej në dhomën ku duhej të bëhej gati për ndeshjen e tij në kuadër të Australian Open, atij i është ndaluar hyrja nga sigurimi pasi nuk kishte mjetin identifikues që ia lejonte hyrjen.

Zvicerani e pranoi urdhrin e rojës së sigurimit, nuk kundërshtoi për asnjë moment, por priti një nga pjesëtarët e stafit të tij, që duket se e kishte akreditimin e tij dhe kështu pastaj vazhdoi drejt zhveshtores.

E gjitha kjo është bërë hit në media dhe rrjetet sociale nga tifozët, normalisht që komentet ishin pozitive pasi rregullat duhet të vlejnë njëjtë për të gjithë.

Kundërshtari i radhës i Federerit në këtë garë është Stefanos Tsitsipas, ndeshja do të zhvillohet nesër (e diel). /Telegrafi/