Please enter at least 3 characters.

Federata “Vatra” shënon 114-vjetorin, Berisha: Trashëgimi e shenjtë e shqiptaro-amerikanëve

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” ka shënuar 114-vjetorin e themelimit, ndërsa kryetari i saj, Dr. Elmi Berisha, ka përcjellë një mesazh urimi për vatranët dhe bashkatdhetarët.

Në mesazhin e tij, Berisha e cilëson këtë përvjetor si “datë të lavdishme në historinë kombëtare” dhe një ditë të veçantë për shqiptarët e Amerikës dhe kombin shqiptar. Ai rikujton se 114 vjet më parë, në Boston, patriotë të shquar si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Llambi Çikozi dhe Kristo Kirka, së bashku me bashkëpunëtorët e tyre, themeluan “Vatrën”, duke e kthyer atë në institucionin më të çmuar kulturor, patriotik e atdhetar për shqiptaro-amerikanët.

Sipas Berishës, 114 vite shërbim në interes të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në SHBA e kanë bërë historinë dhe veprimtarinë e “Vatrës” një “pasuri dhe trashëgimi të shenjtë për çdo shqiptar”. Ai thekson se “askush si Vatra dhe shqiptarët e Amerikës” nuk u investuan kombëtarisht, duke sakrifikuar kohën, dijen, pasurinë dhe jetën në shërbim të atdheut.

Kryetari i “Vatrës” liston rolin e federatës në momente kyçe të historisë shqiptare, nga Pavarësia e Shqipërisë dhe shtetformimi institucional, te lufta kundër komunizmit, proceset e demokratizimit, rritja e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan, lufta e Kosovës dhe Pavarësia e Kosovës, si dhe kontributi i vazhdueshëm në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe vlerave kombëtare.

Berisha e cilëson “Vatrën” si simbol të nacionalizmit dhe atdhedashurisë shqiptare në Amerikë, duke e përshkruar si institucion përbashkues që udhëheq veprimtarinë kombëtare e kulturore në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Në këtë përvjetor, ai falënderon Kryesinë, Këshillin dhe çdo vatran që, sipas tij, sakrifikon për t’i shërbyer federatës dhe komunitetit, duke veçuar edhe punën e degëve të “Vatrës” si burim “energji të pashtershme atdhetarie e krenarie”.

Po ashtu, Berisha nënvizon rëndësinë e vazhdimit të amanetit të themeluesve në shërbim të identitetit kombëtar dhe gjuhës shqipe, duke përmendur shkollat shqipe pranë “Vatrës” në Tampa, Miami, Hartford dhe Long Island.

“Historia e Vatrës është unike… Vatra është e shenjtë, ajo do jetojë në shekuj të shekujve”, përfundon mesazhin e tij kryetari Dr. Elmi Berisha, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë brezat që kanë punuar ndër 114 vjet për “Vatrën”, kombin dhe atdheun.