FC Prishtina 01 zbarkon në Riga, kërkohet historia në Ligën e Kampionëve
Ndeshja ndërmjet Riga Futsal Club dhe Prishtina 01 zhvillohet të premten nga ora 18:30 në Riga të Letonisë. Ky duel është i kthimit në kuadër të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve në futsall, ku kampioni ynë kërkon historinë.
Ndeshja e parë e zhvilluar më 24 nëntor në Prishtinë përfundoi me barazim dramatik 3-3.
Për Prishtinën, dy golat e parë në atë ndeshje i shënoi Drilon Maxharraj, ndërsa të tretin e realizoi Ramadan Alaj. Skuadra kampione e Kosovës kësaj radhe do të mungojë pikërisht Maxharraj, një nga lojtarët kyç, shkaku i kartonëve.
Trajneri Haki Ahmeti shprehet optimist pavarësisht sfidave, duke besuar se FC Prishtina 01, do të kalojë në çerekfinale, në mesin e tetë ekipeve më të mira të Evropës.
“Me paraqitjen që kishim në Prishtinë kundër Rigës, kalimi në çerekfinale është i mundur. Besoj në lojtarët e mi, edhe pse ndeshja do të jetë shumë e vështirë. Mungon Maxharraj, ndërsa ende nuk e dimë nëse portieri Bajram Ramadani do të paraqitet pas lëndimit. Kemi punuar gjithë javën te pikat ku gabuan në ndeshjen e parë – sidomos koncentrimi dhe ndërprerjet. Shpresoj të dalim nga fusha me një fitore të madhe”, deklaroi Ahmeti për Telegrafin.
Optimist është edhe kapiteni Shefki Kameri, i cili beson fort në potencialin e ekipit.
“Besoj se mund të futemi në mesin e tetë ekipeve më të mira të Championsit. Barazimi në Prishtinë na tregoi që mund të përballemi me çdo kundërshtar. Kemi cilësi, kemi karakter dhe nëse jemi të fokusuar nga fillimi deri në fund, mund ta arrijmë objektivin. Do të luftojmë për klubin, qytetin dhe gjithë tifozët që na mbështesin”, ka hënë Shefki Kameri për Telegrafin.
Nëse bardhekaltrit arrijnë të eliminojnë skuadrën letoneze, në çerekfinale do të përballen me fituesin e ndeshjes ndërmjet Hit Kyiv (Ukrainë) dhe Palma Futsal (Spanjë).
Çerekfinalet zhvillohen me dy ndeshje – vajtje-ardhje – më 23 shkurt dhe 6 mars.
Prishtina 01 siguroi pjesëmarrjen në fazën nokaut të Championsit pasi u rendit e treta në Grupin 4 të “Main Round”.
Turneu final i Ligës së Kampionëve do të organizohet në Pesaro të Italisë, nga 8 deri më 10 maj. /Telegrafi/


