Facebook-mania dhe flamujt
Djegia e Flamurit kombëtar të gjithë ne shqiptarëve duhet përfundimisht të na vetëdijësojë, që duhet të jetë e kaluar koha kur: muzika serbe ‘ulërin’ nëpër qendrat e qyteteve tona, muzika serbe dëgjohet nga të rinjtë tanë të cilët ‘enden’ afër oborreve të shkollave tona, fotografitë e këngëtareve serbe do të ‘zbukurojnë’ muret e disa lokaleve tona, kamerieret serbe do të shërbejnë në baret ‘tona’ dhe spotet serbe do jenë pjesë e facebook-profileve tona!
Kohën e fundit njëri ndër brendet e kompanive i cili më së shumti përmendet anekënd, është ai i ‘rrjetit social’ të ashtuquajtur ‘Facebook’. Thuajse çdo plak dhe i ri, edhe në qoftë se parimisht nuk e di, mundohet që duke ia përmend të paktën vetëm emrin, të ‘ketë’ qasje tek ai! Mania, në kuptimin e gjerë përdoret për të treguar dhënien jashtë normave pas një gjëje, dhënie e cila me kalimin e kohës shndërrohet në zakon-shprehi. Atëherë, për momentin tek shumë përdorues të internetit, një dëfrim të tillë më së miri mund ta bëjmë për “Facebook-maninë”, sepse është zakon që në mesin e klikimeve të para është edhe ai për Facebook, që ‘duhet’ hapur për të parë se çfarë ka të re në të! Kësaj radhe, ishte e pamundshme të lexosh diçka tjetër, ngase vëmendjen ta tërhiqte ngjyra “kuq e zi”!
Momentalisht, me apo pa dëshirën time, ‘miq’ të mi ishin 666 persona. Prej tyre deri më sot, unë kisha parë që vetëm një person të mbante Flamurin kombëtar shqiptar në profilin e tij, ndërsa të tjerët mbanin fotografi personale apo edhe pejsazhe, ndërsa shumica kritikonin dhe nënçmonin atë i cili kishte zgjedhur që të personifikohet dhe identifikohet me Flamurin kombëtar! Tash të gjithë kishin ndryshuar qëndrimin, shumë ‘friends-a’ ftonin për të ndryshuar profilin, ndërsa kishte edhe të atillë që ta kontestonin përkatësinë kombëtare duke shkruar: “kush në profilin e tij s’ka Flamur kombëtar, nuk është shqiptar’?
Edhe pse pjesë e bisedave me shoqërinë, nuk kishte rast që të anashkalosh, djegien e Flamurit shqiptar, e njëjta gjë na u imponua edhe këtu. Duke e parë këtë gjendje, lind pyetja: “prej kurë kaq të bashkuar qenkemi bërë”? Sikurse pyetja, me pikëpyetje në fund edhe përgjigjja: “paskemi pritur që dikush të na djeg flamurin dhe ne ta duam atë”!? Siç u pa ne paskemi pritur që patriotizmi ynë të vijë në shprehje pas një akti vandal, jocivilizues, nacionalist dhe irritues! Është shumë veprim i lehtë ndryshimi i profilit, është shumë e lehtë vendosja e Flamurit kombëtar në facebook, është shumë i lehtë ky bashkim i yni në këtë vend, është shumë e mirë ideja që të solidarizohemi anekënd, mirëpo kisha përshtypjen, mos vallë “bëjmë bajram me veten”, me këta veprime që na duken se ‘alamet punë’ jemi duke bërë?! Është indinjues fakti që disa nga profilet e shqiptarëve ‘patriot’ mbanin Flamurin kombëtar, ndërsa materialet e postuara të këtyre ‘shqiptarëve’ të këtillë ishin, asgjë më tepër përpos: ‘muzikë dhe spote në gjuhën serbe’!
Deri në korrik të këtij viti, statistikat thoshin se, rreth 400 milionë përdorues të faqes Facebook, shpenzojnë më shumë se 16 miliardë minuta në këtë faqe, çdo ditë, ndërsa të njëjtit shikojnë më shumë se 1 milion fotografi për çdo sekondë. Le të jemi ne ata të cilët këtë ‘rrjet social’ i cili padyshim i ka edhe përparësitë e veta, nuk do e përdornin vetëm për momente të cilat do e vinin në pah euforinë tonë, por do e përdorin edhe për qëllime shumë fisnike, humane dhe kombëtare! Nuk ngurojmë që Flamurin ta vendojmë edhe në profilet tona, mirëpo të gëzuar dhe krenar do të ishim sikur i njëjti të valëvitej në institucionet tona.
Djegia e Flamurit kombëtar të gjithë ne shqiptarëve duhet përfundimisht të na vetëdijësojë, që duhet të jetë e kaluar koha kur: muzika serbe ‘ulërin’ nëpër qendrat e qyteteve tona, muzika serbe dëgjohet nga të rinjtë tanë të cilët ‘enden’ afër oborreve të shkollave tona, fotografitë e këngëtareve serbe do të ‘zbukurojnë’ muret e disa lokaleve tona, kamerieret serbe do të shërbejnë në baret ‘tona’ dhe spotet serbe do jenë pjesë e facebook-profileve tona! Ne duhet ta njohim të kaluarën, të punojmë për të tashmen dhe ta projektojmë ta ardhmen, sepse “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, përpara se ne ta ndryshojmë veten tonë”!
(Autori është Psikolog i diplomuar dhe vazhdon studimet post-diplomike në drejtimin Psikologji arsimore)


