Fabrikimi i “realitetit” dhe industria e baltës
Në nivelin elementar gjuha paraqitet si përmbledhje tingujsh. Ndërkaq, në nivelin sekondarë këta tinguj kombinohen me mendimin dhe fitohet komunikimi mes njerëzve. Meqë politika është ndër zakonet më të vjetra, rrjedhimisht edhe komunikimi politik është i vjetër sa vet kjo.
Në lashtësi, më këtë term kuptohej vetëm gjuha ndërmjet sunduesve dhe të sunduarve, por më vonë fusha zgjerohet dhe përfshihet edhe shkëmbimi i diskutimeve ndërmjet politikanëve të opozitës kundrejt atyre në pushtet, roli i mediumeve në formimin e mendimit politik, sondazhet e mendimit sociologjik, marketingu politik etj.
Ky përcaktim i shkurtër, ishte i nevojshëm sepse përfshinë dy karakteristika esenciale të politikës bashkëkohore: i). zgjerimi i sferës politike me rritjen e numrit të aktorëve dhe problemeve – të ngërthyer në fushën politike, dhe ii). rritjen e rolit të komunikimit.
Gjuha politike jo vetëm që i shkatërron antagonizmat në politikë nëpërmjet debatit dhe arritjes së konsensusit, por në fakt i jep edhe saktësi antagonizmit të demokracisë bashkëkohore, e cila shprehet në komunikim dhe nëpërmjet komunikimit (dhe jo nëpërmjet, për shembull, revolucioneve).
Në këto kushte, komunikimi politik është fushë e përleshjeve të diskutimeve, të cilat, si qëllim kanë pushtetin e interpretimit politik të realitetit. Ideja themelore është se sot politika po e merrë karakterin e vet publik nëpërmjet mediumeve, do të thotë “po bëhet reale” jo nëpërmjet përvojës personale të njerëzve, por nëpërmjet pamjes së saj mediale.
Si rrjedhojë, të arrihet neutraliteti dhe objektiviteti në mediume, është pothuajse e pamundur ngase komunikimi masiv shtron një varg problemesh gjatë shfrytëzimit të tij për qëllime politike, të cilat burojnë nga specifikat e veta.
Gjatë komunikimit publik kapen tone të ndryshme nga karakteri i informacionit, si teknike, semantike, nga mjedisi etj., dhe këto bëhen të rëndësishme vetëm për politikanët në krijimin e bindjes tek auditoriumi duke influencuar në vendimet dhe sjelljen politike.
Në këtë kontekst, roli dhe efektet kryesore të funksionimit të mediumeve është se ato formojnë rendin e ditës (manipulimi mund të zhvillohet në dy kahje: duke i zgjedhur ngjarjet), dhe në zhvillimin e mendimit tanimë të formuar (formojnë mendime – kur bëhet fjalë për ndonjë risi dhe për t’iu përmbajtur trendeve të mendimeve ekzistuese dhe sigurojnë personifikimin e çdo veprimtarie, sakaq nëpërmjet tyre ndërtohen edhe imazhe personale, kooperuese ose të ideve.
Kësisoj, për të krijuar kushte më të volitshme në terrenin politik, duke ndihmuar koherencën, konsensusin, kontinuitetin dhe krijimin e kulturës politike, si mjet i domosdoshëm paraqitet edhe krijimi i një strategjie të komunikimit.
Veprojnë me strategji edhe partitë tona politike? Padyshim që po, nuk folet vetëm sa për të thënë diçka, por për të arritur njëfarë efekti në masë. Si formë e parë historike e strategjisë së komunikimit politik njihet propaganda.
Përdorimi i saj, në radhë të parë lidhet me të shkaktuarit e veprimeve konkrete, ndërsa në radhë të dytë, ajo ka për qëllim të armatosë politikën me metoda efikase dhe t’u jap vendimeve politike kontinuitet të vazhdueshëm. Pra, shtyn opinionin publik të pranojë opinione të ndryshme politike që proklamohen dhe lidhet me shkallën e caktuar të mashtrimit dhe manipulimit të stërholluar.
Për më tej, ekziston edhe lidhja tradicionale ndërmjet propagandës dhe ideologjisë, ngase kjo, gjithmonë shpërfaqet si mjet i organizuar për përhapjen jashtë grupit ose për përforcimin e ideologjisë brenda në grup, nga edhe del se qëllimet ideologjike janë të dorës së dytë në raport me mjetet për arritjen e tyre.
Detyrat themelore të propagandës janë izolimi i kundërshtarit politik, përfshirja totale dhe ngarkimi panormik i auditoriumit me ndikimin propagandues, sigurimi i prestigjit të propagandës dhe krijuesve të saj, tërheqja dhe mbajtja e vëmendjes (nëpërmjet përsosjes së mjeteve teknologjike dhe shndërrimit të tyre në mjete zbavitëse), strategjia dhe taktika e sigurimit të variantit optimal dhe pranimin e saj (kërkohet koha më e përshtatshme për auditoriumin dhe shfrytëzohen teknikat e ndryshme të manipulimit, përfshirë këtu edhe panikun etj.) Por, qëllimi kryesor për të arritur efikasitet është mitoligjizmi i vetëdijes njerëzore.
Vetëdija e mitoligjizuar bllokon çdo përpjekje për ndikim të jashtëm dhe sulm kundër besimit. Ajo mbanë anën më të fuqishme, përderisa ta ketë pranuar njëherë idolin e vet (shihet si i vërtetë edhe përkundër çdo ndikimi dhe manipulimi të mundshëm psikologjik). Këtu kemi të bëjmë pastaj edhe me efektin ‘aureolë’. Por ta konkretizojmë këtë duke marrë si shembuj, ngjarje nga përditshmëria jonë.
Vlen të theksohet se strategjia më e madhe propagandistike që zhvillohet nga AAK-ja si opozitë më e zëshme tek ne, në gjuhën e marketingut politik mund të quhet si "shock-terapi" (çdokund jemi në krizë sipas tyre). Strategji kjo, e cila synon që njeriun ta nxjerrë jashtë pozitës së tij sociale konkrete dhe të shkaktoj tek ai ndjenja të situatës së destabilizimit. Si rrjedhojë, krijohet zhurmë dhe në këtë mënyrë shkaktohen nervozizma në masë nga shqetësimet për shkak të frikës.
Pra, përmes kësaj zhurme politike, përveçqë turbullohet komunikimi mes të tjerëve, në një mënyrë bëhet edhe zgjimi i instikteve – si katalizator të reaksioneve sepse propaganda synon të ndiqet turma dhe të ndezë betejën e vërtetë për ashpërsimin e frikës, antipatisë dhe mbajtjes së anës duke mobilizuar dhe grupuar kështu njerëzit që fillojnë të mendojnë njëjtë. Në këtë mënyrë, ndjenjat shfrytëzohen që t’i detyrojnë grupet të veprojnë si tufë pa kokë.
Ose, për t’i qëndruar edhe më shumë besnik realitetit tonë, si model të strategjisë së komunikimit po e marrë shembull edhe “Rastin Mustafa” nga tabori i LDK-së. Pas bastisjes së institucioneve të shtetit, partneri qeverisës, për t’u distancuar dhe për t’ju shmangur “ngjyrës së ‘njollës’ së keqe” që reflektonte asokohe më shumë në masë, taktikisht u përkujdes që të shihej si njëngjyrëshe dhe të mos prekej duke e zhvendosë vëmendjen tek një zë tjetër, kinse i lirë.
Shumëkush zërin opozitar brenda LDK-së, respektivisht profesor Mustafën, e sheh vetëm si mendim ndryshe, por sikur s’më bind aspak kjo pikëpamje ngase në politikë edhe zërat kritik kurdisen. Edhe pse kjo lëvizje u mohua nga krerët e këtij subjekti pasi që kaloi pak “stuhia”, si të tillë e shoh këtë, pra zë të organizuar e koordinuar edhe me vet partinë. Ishte një politikë e sjelljes që ndërlidhej me sjelljen kolektive dhe rrjedhën e mëtutjeshme, një strategji që filloi në kohën e duhur dhe përfundoi sapo u qetësua “moti”.
Përveç kësaj, ishte edhe tentativë që të përfitohej politikisht duke mobilizuar anshmërinë dhe duke ndikuar në sjelljen joaktive dhe apatinë që shumëkush ndjenë ndaj politikës.
Komunikimi apo konflikti?
Kur flasim për komunikimin, rëndomë kuptojmë shkëmbimin e informatave, njohurive, mendimeve, vlerësime, interpretimeve etj. Por, në komunikimin konfliktuoz qëllimi ndërpritet të jetë informimi dhe mirëkuptimi, saqë mund të parashtrojmë lirisht pyetjen se a bëhet fjalë më të vërtetë për komunikim apo për luftë me fjalë!? Qëllimi themelor këtu është domonimi, cilësimi (në llogari të tjetrit), përjashtimi etj.
Pra polemizohet dhe termi “polemikë” nga shpie menjëherë tek ideja e konflikteve verbale ndërmjet politikanëve sepse kultura politike është eroduar aq shumë saqë për shumëkënd s’ka rëndësi përmbajtja e asaj që thuhet, por kënaqen me përplasjet, sharjet dhe fyerjet që i bëhen njëri-tjetrit.
Kuptimi i komunikimit konfliktuoz është përpjekje që kundërshtari të vihet në vendin saktësisht të caktuar (social dhe politik). Kur e cilësojmë, për shembull, bashkëbiseduesin tonë si “komunist” përpiqemi ta vëmë në vendin (në këtë rast politik), i cili me siguri s’është pozicioni i tij. Në fakt, në diskursin konfliktuoz synohet të zhvendoset personaliteti i kundërshtarit. Dhe kjo dhunë politike, padyshim që shkakton dhunën sepse personi i caktuar përpiqet t’i mbrojë qëndrimet e veta personale dhe vetvetiu edhe hyn në konflikt.
Në të tilla raste, aktorët politik gjithnjë kanë parasysh kundërshtarin dhe publikun – si dëshmitar sepse diskursi konfliktuoz paraqet shndërrimin e konfliktit në spektakël dhe sulmuesi pret të krijojë epërsi. Por, këtu para se gjithash qëllimi i vërtetë është sulmi ndaj identitetit të personit tjetër. Ndërkaq, se sa është i nevojshëm spektakli për të përfituar politikisht, mund ta marrim si rast bastisjen e MTPT-së dhe t’i rikujtojmë skenat që i krijoi EULEX-i gjatë bastisjes.
Një operacion i tillë mund të ndërmerrej edhe pa bërë bujë dhe pa një ekspoze të atillë, por i tërë operacioni u udhëheq nga logjika e reklamës sepse ishte e nevojshme të bëhej spektakël për ta ngritur kredibilitetin në masë.
Gjuha, fjalët nuk janë vetëm shprehje të realitetit, por ato shpesh e “krijojnë” dhe e modifikojnë varësisht prej interesave të veta realitetin. Pra, bëhet interpretimi i një realiteti që aktorët politikë dëshirojnë të zë “çerdhe” në vetëdijen e njerëzve nëpërmjet argumentimit, retorikës, teknikave propaganduese, etiketimit e kështu me radhë.
Si shembull ilustrues, mund t’i marrim edhe deklaratat e ndryshme që vijnë nga opozita, alternativa tjetër për pushtet p.sh. kur kryeministri i vendit i ofroj partneritet EULEX-it në luftën kundër korrupsionit dhe kërkoj që të hapen gjitha rastet prej pasluftës e këtej, me rastin marrjes së përkrahjes nga aktorët kyç dhe vlerësimin e qëndrimit të tij.
AAK-ja dalin me deklaratën e formuluar - aksion: “Kryeministri aktual ka nisur të tentojë të marrë pronësinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, gjë e cila është jo vetëm e habitshme, por edhe fyese për të gjithë ata që e kanë të qartë se vetë kryeministri aktual, Hashim Thaçi, është në krye të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë”.
Kjo logjikë e zhvillimit të luftës politike na e kujton edhe tezën se, sa më shumë përkrahje që merr njëra palë, aq më të ashpër duhet ta bëjë luftën pala tjetër. Por, ta dekodojmë deklaratën, tendenca është që publiku të bindet se kundërshtari politik dëshiron të fsheh diçka dhe se ekziston konteksti tjetër, pra një tentativë demaskimi se kinse kryeministri me deklaratat përkitazi me rastin, synon të shkaktojë simpati në masë. Pra, opozitarët në fjalë, duke mohuar me këtë veprim, synojnë ta neutralizojnë ndikimin dhe ta diskreditojnë kundërshtarin.
Përndryshe, në kuptim përmbyllës më sipër flitet me shpoti edhe për një lloj fyerjeje dhe habie që ka rezulutuar tek ata që e kanë të qartë se kryeministri është vet në krye të korrupsionit, ku paraqitet edhe një tendenca tjetër për ta cilësuar dhe etiketuar - strategji e manipulimit. Në këtë rast, qartësia e tekstit dëshmon vërtetësinë e mendjes sepse njeriu që mendon qartë – edhe shprehet qartë.
Treshja klasike: kritikë, kontroll, alternativë (Heinrich Oberreuter) përbënë bazën e funksionit të opozitës. Sikundër, pasi që opozita s’është në gjendje t’i pasqyrojë me fakte dhe t’i argumentojë kritikat e veta apo edhe të sjellë “produkt”, sillet e përsillet vetëm brenda strategjisë së vet. Nuk është që s’ka korrupsion tek ne, por fjala ‘korrupsion’ është kthyer në kontratë gjuhësore tek të folurit politik dhe ka larguar jashtë fushës së semantikës, pothuajse gjitha fjalët e tjera.
Përkitazi më këtë, profesori Artan Fuga, tërheqë paralelizma mjaft interesante, ku ndër tjerash shton se: Fjala "korrupsion" është si fjala "Zot" dikur në Mesjetë (lehtësisht e pranuar), duke vazhduar më tej se, kjo është fjala “çelës” e ligjërimeve politike, e vlefshme për të ndërtuar strategji politike, për të kompaktësuar trupën e militantëve, për t’u kuptuar, për të mos u kuptuar, për të shkuar në zgjedhje dhe për të tërhequr elektoratin në votime, për gjithçka. Fjala ‘korrupsion’ është një fjalë magjike në politikë! – përfundon ai, dhe nuk është e rastit që kjo fjalë gjithmonë është vendosur në qendër të të folurit politik edhe tek ne.
Por, lufta politike duhet të përqendrohet tek zgjidhjet e problemeve, halleve dhe shqetësimeve të popullit apo tek konkurrenca e vlerave dhe alternativave dhe jo tek diskreditimi i njëri-tjetrit. Lansimi i pandërprerë i akuzave të shoqëruara me një lloj “industrie balte” dhe të bëra përmes një “panairi fjalësh” nga më të rëndat, duke anashkaluar shpeshherë edhe vet organin e akuzës, përveç që është i papranueshëm, po krijon edhe kakofoni.


