“Është 100 për qind ky që na nevojitet”, Davic Beckham mbështet trajnerin anglez për ta drejtuar Man Unitedin
Michael Carrick po shfaqet si kandidati kryesor për t’u bërë trajneri i përhershëm i Manchester United, ndërsa legjenda e klubit, David Beckham, ka lavdëruar ndikimin e tij që prej marrjes së detyrës.
I emëruar në janar, Carrick mori detyrën nga INEOS për ta rikthyer United në zonën e Ligës së Kampionëve – dhe aktualisht duket në rrugën e duhur për ta arritur këtë objektiv.
“Djajtë e Kuq” renditen në vendin e tretë, me vetëm një pikë më shumë se Aston Villa në garën për një vend në top katërshe.
Pas një dekade të trazuar në “Old Trafford”, Beckham pranoi se muajt e fundit kanë sjellë një ndjenjë stabiliteti në klub.
“Po, duhet ta pranoj se muajt e fundit kanë qenë shumë më të qetë sesa 10 vitet e fundit, për të qenë i sinqertë. Ka qenë e vështirë gjatë asaj periudhe”.
“Por mendoj se Michael ka përvojë. Ka një qetësi që e ka sjellë në klub. Ai e njeh klubin. I njeh lojtarët. E di mënyrën se si luan Manchester United dhe si duhet të luajë”.
“Gjithmonë më ka pëlqyer Michael si trajner. Kur e shikon, ka një qetësi. Në vijë anësore ka, nuk dua të them elegancë sepse nuk jam i sigurt nëse është fjala e duhur, por ka një lloj elegance në mënyrën se si sillet – qoftë në festime apo edhe kur zemërohet”.
“Të gjitha këto janë të rëndësishme për një trajner. Dhe mendoj se mënyra se si e ka bashkuar ekipin ka qenë e jashtëzakonshme. Si tifoz i United, kjo është pikërisht ajo që na është dashur”.
Ndërkohë, Man Utd po konsideron edhe opsione tjera si Luis Enrique./Telegrafi/


