ESHR: 60% e automjeteve të "Higjienës Komunale" në Shkup jashtë funksionit, borxhi 12 milionë euro
Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë opinion të pafavorshëm për punën e NP “Higjiena Komunale – Shkup” për vitin 2024, duke konstatuar parregullsi të shumta financiare dhe administrative.
Sipas raportit, ndërmarrja ka afro 12 milionë euro borxhe, mbi 2 milionë euro kërkesa me arkëtim të pasigurt dhe pasuri të paevidentuara në vlerë prej rreth 472 mijë eurosh.
Gjithashtu, gjatë vitit të kaluar janë angazhuar 354 persona përmes agjencive private, për të cilët janë shpenzuar mbi 3 milionë euro. Revizioni ka evidentuar edhe probleme serioze në funksionim. Nga 189 automjete komunale, vetëm 76 janë në gjendje pune, ndërsa rreth 60 për qind e parkut të automjeteve është jashtë funksionit.
Po ashtu janë konstatuar humbje financiare, likuiditet i dobët dhe parregullsi në llogaritjen e pagave. Revizorët vlerësojnë se kjo gjendje rrezikon cilësinë e shërbimeve publike dhe rekomandojnë masa urgjente për stabilizimin financiar dhe modernizimin e ndërmarrjes.


