Endrick zbulon arsyen e largimit nga Real Madridi dhe pse kaloi te Lyoni
Largimi i Endrick nga Real Madridi në fillim të janarit ishte i pritshëm, duke pasur parasysh minutat e pakta që ai kishte në dispozicion nën drejtimin e Xabi Alonsos.
Sulmuesi i ri brazilian vendosi që zhvillimin e tij ta vazhdojë te Lyon, ku u transferua në formë huazimi deri në fund të sezonit, me synimin për të fituar më shumë hapësirë dhe ritëm gare.
Por pse Endrick zgjodhi të largohej nga Madridi, në vend që të qëndronte dhe të luftonte për një vend në skuadër? Vetë lojtari ka dhënë përgjigjen në një intervistë për L’Equipe.
“Erdha këtu te Lyoni për të qenë i lumtur, për të luajtur. Të shkoj në Kupën e Botës është një ëndërr dhe, me ndihmën e Zotit, dua të jem pjesë e saj”.
Endrick theksoi se fokusi i tij kryesor është paraqitja e mirë në nivel klubi, si kusht për t’u kthyer në vëmendjen e përfaqësueses braziliane.
“Misioni im këtu është të luaj mirë dhe nëse e arrij këtë me klubin tim, atëherë mund të kualifikohem edhe për kombëtaren”.
Vendimi për t’u larguar përkohësisht nga Real Madridi shihet si një hap strategjik për karrierën e 17-vjeçarit, i cili synon të fitojë eksperiencë, minuta dhe besim, me synimin madhor për të qenë pjesë e Kupës së Botës./Telegrafi


