Ekstradohet nga Italia në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar për falsifikim të dokumenteve
Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin nga Italia në Kosovë të një shtetasi kosovar të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për vepra penale.
Sipas njoftimit zyrtar, me datën 28.01.2026 është bërë ekstradimi i shtetasit kosovar F. V., nga Italia për në Kosovë, në koordinim të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor – ILECU me njësitet tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
"I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet italiane, pasi i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës, për veprat penale ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘legalizim i përmbajtjes së rreme'", thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se ai i ishte shmangur drejtësisë.
Policia e Kosovës thekson se ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre italiane.
Pas mbërritjes në Kosovë, “i dyshuari pas ekstradimit iu është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë, për procedurat tjera ligjore”.
Në fund, Policia e Kosovës nënvizon se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale përfshirë gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit. /Telegrafi/


