Edhe një konvikt i ri i shtohet Qendrës së Studentëve
Drejtues të Qendrës Studentore, bëjnë të ditur për Radio Kosovën, se me ndërtimin e konviktit të ri, do të rriten kapacitetet edhe për 400 shtretër.
Pas kërkesave të shumta të studentëve të Universitetit të Prishtinës që kanë nevojë të banojnë në konvikte, Qendra e Studentëve ka planifikuar të ndërtojë edhe një objekt të ri, konviktin numër 8.
Kërkesa për dhënien e lejes së ndërtimit në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës është bërë që në muajin janar, por ende nuk ka përgjigje.
Drejtori i Qendrës studentore, Fatmir Sfishta, tha për Radio Kosovën, se projekti është miratuar si dhe janë plotësuar të gjitha dokumentet shtesë që ka kërkuar Komuna, dhe tashmë pritet leja për të filluar ndërtimi.
“Ende nuk e kemi marrë lejen. Neve na janë kërkuar dokumente shtesë, që nga janari i këtij viti jemi duke u përballur me komunën për kërkesat e tyre për dokumentacion shtesë, gjë që më herët nuk na janë kërkuar për konviktet e tjera. Por, tashmë jemi kompletuar me të gjithë dokumentacionin që na është kërkuar dhe shpresoj që shumë shpejt do të na japin lejen për të filluar ndërtimin e konviktit numër 8”, ka thënë Sfishta.
Sa i përket procedurave të dhënies së lejes për fillimin e ndërtimit të konviktit, zyrtarë të Komunës së Prishtinës nuk u përgjigjën për këtë çështje.
Sidoqoftë, Sfishta bëri të ditur se janë siguruar edhe mjetet për ndërtimin e konviktit, që janë rreth 150 mijë euro.
“Mendoj që me ato do të fillojmë ndërtimin e konviktit të ri. Vitin e ardhshëm, pra me buxhetin e vitit të ardhshëm do të ketë edhe mjete të tjera shtesë në mënyrë që të përfundojë, sepse është nevojë e jashtëzakonshme për kapacitete të reja”, ka bërë të ditur Sfishta.
Në bazë të kërkesave të studentëve, drejtori i Qendrës Studentore, theksoi se gjatë këtij viti është paraparë që të ndërrohet edhe inventari në tri konvikte të meshkujve. Qendra Studentore aktualisht ka kapacitet për 3 mijë e 600 studentë. /rtk/


