E tëra çfarë ndodhi në seancën ku dështoi konstituimi i Kuvendit
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mbajtur të martën seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Megjithatë, procesi i konstituimit u ndërpre pa u përmbyllur me sukses, si pasojë e mosvotimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe kuorumit nga një pjesë e madhe e deputetëve.
Seanca u hap në mënyrë solemne nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në përputhje me rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Në vijim, Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve paraqiti raportin e tij, një hap procedural thelbësor për vazhdimin e procesit të betimit dhe konstituimit të Kuvendit.
Në një atmosferë të tensionuar politike, raporti nuk mori mbështetjen e nevojshme për miratim.
Vetëm 52 deputetë votuan pro, 46 ishin kundër dhe 11 abstenuan – duke bërë që raporti të mos kalojë.
Për raportin votuan LVV dhe Nisma Socialdemokrate, ndërsa kundër ishin deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Lista Serbe abstenoi.
Kryesuesi Dehari njoftoi se në mungesë të miratimit të raportit, seanca nuk mund të vazhdojë dhe do t’i drejtohet presidentes Vjosa Osmani për udhëzime të mëtejshme.
Opozita konteston dorëheqjet e Kurtit dhe ministrave të tij
Në qendër të mospajtimeve ishte mënyra dhe koha e dorëzimit të dorëheqjeve të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrave të tij që janë zgjedhur deputetë në legjislaturën e re.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se dokumentacioni nuk ishte shpërndarë me kohë dhe se dorëheqjet ishin të paqarta.
Ai shprehu frikën se Kurti mund të përpiqet të ushtrojë funksionin e kryeministrit edhe pasi të jetë betuar si deputet, gjë që, sipas tij, do të përbënte shkelje kushtetuese.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, i cili theksoi se “nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht”, duke i bërë thirrje Kurtit dhe kabinetit të tij të zgjidhnin mes funksionit ekzekutiv dhe atij legjislativ.
Reagimet e partive politike
PDK: Kryetari Memli Krasniqi fajësoi LVV-në për situatën e krijuar, duke thënë se mungesa e dorëheqjeve të mirëfillta ishte arsyeja kryesore për mosvotimin e raportit.
LDK: Lumir Abdixhiku deklaroi se LDK nuk e kundërshton raportin në parim, por nuk do të votojë për të derisa dorëheqjet të jenë të plota, individuale dhe të dokumentuara siç kërkohet nga procedurat zyrtare.
Abdixhiku tha se para strukturave vendimmarrëse të partisë ka propozuar Kujtim Shalën për nënkryetar të kuvendit dhe Hykmete Bajramin për shefe të grupit parlamentar të kësaj partie.
AAK: Ramush Haradinaj akuzoi Kurtin për bllokim të procesit dhe mosrespektim të Kushtetutës, duke thënë se nuk do të bëjnë kompromis me rendin kushtetues.
LVV: Artan Abrashi, kryesues i Komisionit të përkohshëm, tha se dorëheqjet janë dorëzuar dhe akuzoi opozitën për shkaktim të “një krize të panevojshme”.
GUXO: Deputeti Faton Peci e quajti bllokimin një veprim të koordinuar mes opozitës shqiptare dhe Listës Serbe.
Çfarë tha Albin Kurti
Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti reagoi përmes një postimi në Facebook, ku akuzoi opozitën për sabotim institucional.
Ai tha se kundërshtimi i verifikimit të mandateve përfaqëson një sulm ndaj rendit demokratik dhe legjitimitetit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Presidenca ende pa përgjigje zyrtare
Zyra e Presidentes bëri të ditur se deri në mesditë nuk kishte pranuar asnjë letër zyrtare nga Kuvendi lidhur me ecurinë e mëtejshme të procesit.
Sipas rregullores, ndërprerjet e seancës konstituive nuk duhet të zgjasin më shumë se 48 orë.
Reagime nga shoqëria civile dhe ekspertët
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) kritikoi mënyrën joformale të dorëzimit të dorëheqjeve, duke theksuar se procedurat zyrtare nuk janë respektuar.
IKD theksoi nevojën për interpretim të qartë të Ligjit për Qeverinë në funksion të mbarëvajtjes institucionale.
Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, tha se Kuvendi nuk është bllokuar juridikisht dhe mund të mblidhet sërish, por kritikoi opozitën për mungesë vizioni politik dhe për mosvotimin e raportit.
Eugen Cakolli nga KDI theksoi se dorëheqjet duhet të jenë individuale dhe të dorëzuara në mënyrë formale përmes Sekretarisë së Kuvendit, jo përmes formave të paformalizuara.
Pavarësisht zhvillimit të seancës konstituive, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të verifikojë mandatet e deputetëve të zgjedhur, duke futur institucionin në një situatë të paprecedentë.
E, pasi dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës në seancën e sotshme, Rregullorja e Kuvendit përcakton që një seancë e re duhet të thirret brenda 48 orësh, që do të thotë se seanca e re duhet të mbahet më së voni deri të enjten./Telegrafi/


