Please enter at least 3 characters.

E ardhmja e yllit të Barcelonës vihet në pikëpyetje, pakënaqësia me Flick po rritet

Barcelona mund të përballet me një tjetër çështje të rëndësishme në prag të sezonit të ri, pasi e ardhmja e Ferran Torres në "Camp Nou" është vënë në pikëpyetje.

Sulmuesi spanjoll raportohet se nuk është i kënaqur me mënyrën se si është menaxhuar nga trajneri Hansi Flick.

Sipas gazetarit Nils Ola, Torres ka mbetur i zhgënjyer nga vendimet e trajnerit gjerman, i cili gjatë sezonit të kaluar e konsideroi Robert Lewandowskin si zgjedhjen e padiskutueshme për rolin e qendërsulmuesit.

Raporti thekson se 25-vjeçari beson se paraqitjet e tij kanë qenë më bindëse se ato të sulmuesit polak dhe se nuk i është dhënë besimi i nevojshëm për të fituar statusin e titullarit në repartin ofensiv të katalanasve.

Edhe pse sa herë që është aktivizuar ka dhënë kontribut me gola dhe asistime, Torres mendon se nuk ka marrë mundësitë e merituara për të konkurruar në mënyrë të barabartë për një vend në formacionin startues. Kjo situatë ka shtuar dyshimet mbi vazhdimësinë e tij në klub.

Drejtuesit e Barcelonës pritet të shqyrtojnë situatën gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që lojtari të kërkojë një aventurë të re nëse roli i tij në skuadër nuk ndryshon.

Interesimi nga disa klube evropiane për reprezentuesin spanjoll ka qenë i pranishëm edhe në afatet e mëparshme kalimtare.

Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Barcelona, Hansi Flick apo vetë Ferran Torres lidhur me këto raportime.

Javët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit, i cili synon të ketë më shumë minuta dhe një rol më të rëndësishëm në sezonin e ri. /Telegrafi/